Zgjedhjet lokale në Kosovë, LDK-PDK, bisedime për zgjerimin e koalicionit
Blerina Olldashi
Partitë politike në Kosovë kanë filluar bisedimet për krijimin e koalicioneve për zgjedhjet lokale, që do të mbahen në vjeshtën e këtij viti. Partitë më të mëdha në vend PDK dhe LDK janë shprehur se koalicionin e tyre e bashkon programi qeverisës, ndërkaq as AAK dhe LDD nuk e përjashtojnë mundësinë që të jenë pjesë e koalicionit pas zgjedhjeve. Përfaqësuesit e partive janë shprehur se formulat që mund të përdoren nëpër komuna për krijimin e qeverive komunale, nuk do të jenë të njëjtat me formulën qeverisëse, që do të kërkohet pas zgjedhjeve të përgjithshme, parlamentare. Partia Demokratike e Kosovës beson në fuqinë e saj dhe pret që të ndihmohet nga partneri i saj aktual LDK-ja për të zgjeruar shtrirjen e pushtetit në pjesën më të madhe të komunave të Kosovës. Zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci, bëri të ditur se është ende herët të flitet për partnerët e saj, megjithatë nuk beson se do të ketë ndryshime në koalicionin aktual PDK – LDK.
“Ne kemi një koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës, megjithatë gara për zgjedhjet lokale ka karakter tjetër dhe secila parti ka të drejtë të konkurrojë me programet e veta. Ne kemi vizionin tonë, kemi planin dhe programin, që është njëkohësisht edhe pjesë integrale e programit qeverisës”,- deklaroi Stavileci. Ndërkaq, për Lidhjen Demokratike të Kosovës, koalicionet e ardhshme nuk përbëjnë problem. I vetmi shqetësim për ta janë reformat dhe strukturimet e brendshme. Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Astrit Haraçija, thotë se kjo parti duhet të përfundojë fillimisht strukturimet dhe reformat, e më pas të vendosë për partnerë të mundshëm. Haraçija nuk sheh vija të kuqe e as jeshile se me cilat parti do të preferonte LDK-ja të qeveriste nëpër komunat e Kosovës apo edhe në nivelin qendror, edhe pse do të preferonte profilin e djathtë. “Ne jemi duke riorganizuar partinë, jemi deklaruar si parti e djathtë dhe do të punojmë me frymën e një partie të djathtë. Më 11 maj do të zhvillojmë një konferencë, dhe prej kësaj date do të fillojë një organizim total i LDK-së”,- theksoi Haraçija. Ndërkohë, dy partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë, e pranojnë se kanë mbajtur kontakte me qëllim të formimit të koalicionit të mundshëm. Besa Gaxherri, nga LDD-ja, thotë se profilizimi dhe programi partiak do të duhej të ishin përcaktues për afrimin e partive politike. “Më afër jemi me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, por ende nuk ka asgjë konkrete. Është koha që të profilizohen partitë e profilit të njëjtë me programe, vizione të përafërta. Nëse je në pushtet duhet të jesh i gatshëm të marrësh përgjegjësitë për të bërë ndryshime”,- thotë Gaxherri. Presidenti Fatmir Sejdiu ka paralajmëruar thirrjen e një takimi konsultativ me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme lokale. Para se të hyjnë në zgjedhjet e ardhshme, partitë duhet të mbajnë edhe zgjedhjet e brendshme partiake për të vendosur përfundimisht për koalicionet e reja.
6 Maj 2009