E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sivjet 60 mijë euro për librin

Buxheti për librin e ri të, i ndarë nga Ministria e Kulturës është dyfishuar nga 30 mijë në 60 mijë euro. Megjithatë, për dashamirësit e librit kjo mbetet prapë pak.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar sot Këshillin e Librit, pas mbylljes së konkursit për mbështetje të botimit të librave. Ministri Krasniqi tha se për librin është një lajm i mirë këtë vit, pasi buxheti i MKRS-së për mbështetje është dyfishuar, nga 30 mijë sa ka qenë vitin e kaluar në 60 mijë euro. Ai shtoi se, sikur edhe që ka ndodhur vitin e kaluar, edhe pse me ligj është ai kryetar i Këshillit, punën e mëtutjeshme do t’ua lë anëtarëve. Në këtë rrafsh, ai garantoi se anëtarët do të jenë të pavarur në punën e tyre deri në kryerjen e mandatit. Ligji, tha ministri, duhet të jetë baza kryesore e punës.

Duke folur rreth mundësive më të mëdha që krijohen tash me rritjen e buxhetit, ministri dha si propozim që të shqyrtohet mundësia që, përveç mbështetjes në shtyp të librave, mbështetja të jetë edhe në segmente të tjera. Në këtë takim u bisedua edhe për gjetjen e alternativave tjera, duke marrë ndoshta shembuj të ndryshëm në rajon dhe Evropë, të mbështetjes së librit, në mënyrë që të ketë një cilësi më të lartë të librit apo formave tjera të letërsisë dhe publicistikës.

Ndërkohë ministri Krasniqi tha se MKRS përveç mbështetjes përmes Këshillit të Librit, po shikon mundësitë që për çdo vjet të ketë edhe mbështetje për bibliotekat komunale, duke i mbështetur ato në pasurimin e fondit të librave.

Nga ana tjetër, kryesuesi i Këshillit të Librit, Naser Mrasori, tha se rritja e buxhetit është një moment i mirë pasi kështu shtohen mundësitë për mbështetje të më shumë botimeve dhe po ashtu edhe në mbulimin e shpenzimeve për krijuesit, si në shtyp apo edhe detaje tjera. /Kosovapress/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›