E Diel, 1 Nëntor 2026

"S‘jam trafikant, drogën ma futën në kamion kundërshtarët politikë"


Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tepelenës, Petrit Abedini, i arrestuar në flagrancë teksa trafikonte 50 kilogramë lëndë narkotike marijuanë në drejtim të Greqisë, mohon akuzat në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Nëpërmjet avokatit, ai tha dje gjatë vlerësimit të masës së sigurisë se nuk është trafikant, por drogën ia kanë futur në kamion kundërshtarët e tij politikë. "Të nderuar gjyqtarë. Personi që është ulur në bankën e të akuzuarve nuk është trafikant. Petrit Abedini është i njohur në vendlindjen e tij si një përkrahës i çështjes kombëtare. Madje ai është edhe kryetar i Këshillit të Bashkisë së Tepelenës, një njeri me integritet të lartë moral, shoqëror e politik. Madje kishte vendosur që në zgjedhjet e ardhshme lokale të kandidonte në Tepelenë për kreun e bashkisë së qytetit", tha avokati Idajet Beqiri, ndërsa mori miratimin e klientit të tij, Petrit Abedini. Më pas ai tha se droga në kamionin që e drejtonte vetë Abedini nuk është vendosur prej tij, por nga kundërshtarët politikë, që e sulmojnë për shkak të vendosjes së kandidaturës për kreun e bashkisë me partinë "PSV 91". Ndërkohë, prokurori Gentian Trenova i quajti qesharake këto pretendime, ndërsa deklaroi se arrestimi i Abedinit është kryer në flagrancë, madje ishte personi që drejtonte automjetin. Në këtë pikë, avokati ka ndërhyrë, duke deklaruar se ditën e arrestimit, shoferi i zotit Petrit Abedini nuk kishte pranuar të nisej për në Greqi, ndoshta nga ndërhyrjet e kundërshtarëve të tij politikë. Pas alibive të shumta, gjykata ka vendosur që biznesmeni Petrit Abedini duhet të qëndrojë me masën e sigurisë "burg pa afat", deri në mbylljen e hetimeve. Ka qenë ora 14:30 e së mërkurës kur në Stacionin e Policisë Kufitare të Kakavijës është paraqitur automjeti tip MAN, me targa "TP2798B" (koka e kamionit), si dhe trajleri me targa "TP2808B", që drejtohej nga shtetasi Petrit Abedini. Menjëherë pas paraqitjes për kryerjen e procedurave doganore, automjeti i është nënshtruar kontrollit. Rezultoi se poshtë dyshemesë së trajlerit me targë TP2808B ishin të fshehura 35 pako të mbështjella me letër natriban, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar si marijuanë, dhe secila pako peshonte nga një kilogram deri në një kilogram e gjysmë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›