E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarret, prag katastrofe ne Patos

Tetë vatra zjarri janë regjistruar dje në disa zona të vendit, nga të cilat pesë vetëm në Qarkun e Fierit. Zjarret e ndodhura brenda pak orësh kanë shkrumbuar sipërfaqe të konsiderueshme me ullishte e banesa, dhe kanë rrezikuar shpërthimin e një depoje me municione, që ndodhet në territorin një ish-reparti ushtarak të Fierit. Situata emergjente ka bërë që Reparti i Mbrojtjes dhe Shpëtimit nga Zjarri pranë Prefekturës së Fierit të kërkonte ndihmë nga qytetet fqinje për mjete zjarrfikëse, pasi mjetet që ka ky repart janë prodhuar që në vitin 1960 dhe nuk i përballojnë dot situatat emergjente. Ndërkohë që, sipas kreut të këtij reparti, zjarret kanë qenë të qëllimshëm. Zjarret e para janë shënuar mesditën e djeshme, në fshatrat Kreshpan të Komunës Cakran dhe në fshatin Lofkënd në Rrethin e Mallakastrës. Mbi 18 ha ullishte janë djegur plotësisht, ndonëse banorët e zonës kanë tentuar të ndërhyjnë me mjete rrethanore. Kur situata ka dalë jashtë kontrollit, kanë njoftuar stacionin zjarrfikës dhe policinë e rendit, të cilat janë vonuar për shkak të rrugës së shkatërruar për në fshatrat ku ishin sinjalizuar vatrat e zjarreve. Vetëm pak orë më pas, në orën 14:30, në vendin e quajtur Qafa e Lalarit, përgjatë rrugës kombëtare Fier-Ballsh, është sinjalizuar një vatër tjetër zjarri. Mësohet se flakët janë identifikuar një herë në disa kullota dhe më pas ato kanë përfshirë edhe sipërfaqen e një ish-reparti ushtarak. Përhapja e flakëve me shpejtësi në këtë ish-repart ka bërë që të rrezikohej shpërthimi i municioneve që ndodheshin të groposura që prej vitit 1997. Pasditja e së premte ka shënuar një tjetër vatër zjarri në Qarkun e Fierit, duke shkrumbuar hektarë të tërë me ullishte në fshatin Lapulec të Rrethit Mallakastër. Ndërkohë që vatra e pestë e zjarrit është shënuar mesnatën e së enjtes në fshatin Fermë-Çlirim të Komunës Dërmënas në Rrethin e Fierit. Flakët kanë vënë në rrezik jetën e një familjeje, e cila tashmë ka mbetur e pastrehë. Kanë qenë fqinjët ata që e kanë vënë re zjarrin dhe kanë sinjalizuar familjen e Sadik Shehut, e cila në atë kohë sapo kishte rënë për të fjetur gjumë. Nga dëshmitë e marra në vendin e ngjarjes mësohet se zjarri fillimisht ka rënë në mullarët e barit të tharë të vendosur mes pemëve dhe dy magazinave që familja mbante veglat e punës dhe prodhimet bujqësore. Mesditën e djeshme, një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një magazinë në fshatin Bushnesh të Rrethit të Kurbinit. Magazina me mallra të ndryshme dhe bombola gazi ndodhej në oborrin e shtëpisë së pronarit të saj, ku flakët rrezikuan seriozisht edhe banesën. Falë ndërhyrjes së shpejtë të repartit të zjarrfikësve të Kurbinit, është bërë e mundur shuarja e shpejtë e flakëve. Ndërkohë që një vatër tjetër zjarri është regjistruar në Vlorë. Flakët kanë përfshirë shkurret në afërsi të një ullishteje në fshatin Bestrovë. Kalimtarë në zonë kanë njoftuar policinë dhe zjarrfikësen, të cilat kanë mbërritur në vendngjarje. Zjarri ka vijuar vetëm për pak kohë, falë ndërhyrjes së mjeteve zjarrfikës. Ende nuk dihen shkaqet e tij dhe autorët. Për fat të mirë ato kanë arritur të lokalizohen në kohë, pasi afër ullishtes ndodhej një pikë karburanti. Nga ky zjarr janë djegur disa rrënjë ullinj dhe një sasi e konsiderueshme me shkurre, si dhe disa pemë frutore. Ndërkohë, pasditen e vonë të së enjtes, në zonën kodrinore të Durrësit ka rënë zjarr. Me të marrë njoftimin nga banorët e Lagjes Nr.1 të qytetit bregdetar, zonës së Currilave, zjarrfikëset nisën luftën me flakët që përhapeshin me shpejtësi, të favorizuara edhe nga era. Punonjësit dhe autobotet zjarrfikëse bënë të mundur shuarjen e zjarrit. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes rezulton të jetë djegur një sipërfaqe prej 2000 m2 e mbuluar me shkurre e barishte. Zjarri mendohet të jetë i qëllimshëm.

Policia

Dy në pranga

për zjarrëvënie

të qëllimshme

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë për zjarrëvënie të qëllimshme. Kështu, në Fier, një 73-vjeçar nga fshati Belishovë është ndaluar në flagrancë duke ndezur një vatër zjarri në kodrat e fshatit Lapurec. Fillimisht dyshohet se ai është autori i 3 vatrave të zjarrit që përfshinë mesditën e djeshme një numër të konsiderueshëm ullinjsh në kodrat e fshatit. Ende nuk dihen arsyet që autori Mujo Muhaj ka pasur për këto zjarrëvënie, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e ngjarjes.

Ndërkohë, policia e Përmetit ka ndaluar në flagrancë një person, i cili dyshohet se është autori i djegies së një zone të pyllëzuar, në vendin e quajtur "Gryka e Këlcyrës". Mësohet se Shpëtim Çeno, 34 vjeç, lindur me banues në qytetin e Bilishtit të Rrethit të Korçës, është ndaluar nga policia përmetare rreth orës 10:00 të ditës së djeshme. Ceno, i cili punon si çoban, mendohet të jetë autori i zjarrit të shënuar rreth orës 02:00 të mëngjesit të djeshëm, i cili rrezikoi seriozisht një sipërfaqe të konsiderueshme pyjesh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›