E Diel, 1 Nëntor 2026

Kaos në port, policia heton agjencitë

Fluksi i emigrantëve që prisnin të largoheshin nga Shqipëria drejt Italisë ka shkaktuar kaos në Portin e Vlorës. Shkak janë bërë numri i shitur i biletave, që rezulton të jetë mbi kapacitetet e lejuara në tragete. Në këto kushte është deklaruar se sektori i krimit ekonomik në drejtorinë e policisë Vlorë do të hetojë agjencitë për shitjen e biletave, duke vlerësuar nëse ka apo jo abuzime, për t‘u përgjigjur më pas ligjërisht ndaj tyre. Aktualisht nga Porti i Vlorës kryejnë itinerarin e zakonshëm Vlorë-Brindizi tre tragete, nga dy që operojnë në ditë të zakonshme. Ndërkohë, numri i madh i emigrantëve që ishin nisur drejt Italisë ka shkaktuar probleme në trafikun rrugor të qytetit të Vlorës, duke bërë që për rreth 3 orë rruga lidhëse e transballkanikes me pjesën tjetër të zonës së skelës të bëhej e pakalueshme. Situata është normalizuar rreth orës 10:30 të mëngjesit, kur forcat e policisë rrugore, së bashku me ato kufitare, kanë ndërhyrë për lehtësimin e trafikut, duke i futur të gjitha automjetet në ambientet e brendshme të portit, si dhe duke improvizuar një radhë makinash. Shumë automjete janë detyruar të kthehen sërish, pas më shumë se 6 orë pritjeje për të hyrë në tragete. Më "të diskriminuar" kanë qenë kamionët e tonazhit të rëndë, të cilët në ditën e fluksit do të evitojnë udhëtimet për shkak të hapësirës që zënë në tragete.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›