E Diel, 1 Nëntor 2026

Sjediu: Viti 2008 ka hyrë në histori si viti i Pavarësisë së Kosovës

Prishtinë -Presidenti i Republikës së Kosovës Fatmir Sejdiu, u ka drejtuar sot qytetarëve të Kosovës një mesazh urimi, ku shprehet se viti 2008 hyri në histori si Viti i Pavarësisë së Republikës së Kosovës. “Kjo ëndërr e ky përcaktim yni i hershëm u realizua më 17 shkurt 2008", ditë kjo e cila do të mbetet përherë shenjë reference dhe identiteti e shtetit të Kosovës- nënvizon Presidenti Sejdiu në mesazhin e tij të urimit me rastin e Vitit të Ri 2009. "Ndonëse të gjithë e dinë se pavarësia është çështje e ekzistencës sonë, asnjëherë nuk kemi pohuar se me shpalljen e saj përnjëherësh do të marrin fund vështirësitë tona politike, ekonomike e sociale"- shkruan Presidenti Sejdiu në mesazhin e tij.

Sejdiu shprehet se autoritetet kosovare janë të vendosura që retorikës së ashpër të Beogradit t'i përgjigjen me ofertën e sinqertë për një frymë të re bashkëpunimi e fqinjësie të mirë në mes dy vendeve sovrane, në mënyrë që rajoni më në fund të shmanget nga politika e konfrontimit me njëri tjetrin dhe ta përmbyllë me sukses procesin e pakthyeshëm të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Në vazhdim po e japim të plotë mesazhin e urimit të Presidentit Sejdiu për Vitin e Ri 2009. "Qytetarë të dashur të Republikës Kosovës, Zonja dhe zotërinj, Viti 2008 hyri në histori si Viti i Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Kjo ëndërr e ky përcaktim yni i hershëm u realizua më 17 shkurt 2008, ditën kur Kuvendi i Republikës së Kosovës shpalli pavarësinë dhe sovranitetin e vendit tonë. Kjo ditë e bekuar dhe viti 2008 do të mbeten përherë shenjë reference dhe identiteti e shtetit të Kosovës. Me respekt të thellë e kujtim të përhershëm edhe në këtë natë, të nderojmë dëshmorët dhe familjet e tyre. Të mendojmë për më të dashurit që na mungojnë dhe që e deshën mbi të gjitha lirinë e atdheut. Vendi ynë deri tani është njohur nga 53 shtete anekënd botës. Bota demokratike e liridashëse e pranoi dhe po e pranon shtetin tonë të ri. Në fund, më lejoni që si President i vendit, i të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, brenda e jashtë atdheut tonë të dashur, t'u shpreh edhe një herë urimet e mia të përzemërta! Gëzuar Viti i Ri 2009!" Presidenti i Republikës së Kosovës”-shkruan Dr. Fatmir Sejdiu.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›