E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qarku, "Ok" studios greke për turizmin e Orikumit

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Orikumi dhe laguna e Nartës së shpejti do të kthehen ndër zonat më të frekuentuara të turizmit në vend.v KRRT-ja e qarkut të Vlorës miratoi në mbledhjen e djeshme projekt-studimin urbanistik për zonën Radhimë-Orikum, ku fituese u shpall një studio greke. Në këtë mbledhje u diskutuan dhe u miratuan 12 pika, ku më e rëndësishme ishte studimi i mësipërm, si dhe ai i zonës së Nartës. Për zonën e Orikumit u miratua edhe zgjerimi i vijës së verdhë. Gjithashtu dje iu dha "Ok" disa lejeve të ndërtimit me destinacion tregtar, prodhues si dhe ndërtime të tjera si magazina, fabrika dhe banesa. Hartimi i planit rregullues për Orikumin ka si qëllim zhvillimin e turizmit. Studimi do të frenojë ndërtimet e parregullta duke ruajtur bukuritë dhe ekosistemin e zonës. Ky studim do të shtrihet në një sipërfaqe prej 850 ha, ndërsa ka një kapacitet turistik rreth 50 mijë turistë. Në këtë zonë do të ndërtohen rezidenca hotele, fshat turistik, plazhe, bar-restorante, zona të mbrojtura etj.
Sipas kryetarit të qarkut, Agron Sharra dhe kryetarit të bashkisë së Orikumit, Kanan Braho, Orikumi tashmë është kthyer në një zonë studimi si dhe në një kantier ndërtimi. Ky qytet shumë shpejt do të marrë një zhvillim të madh turistik nga investimet e qeverisë dhe donatorëve të huaj. Gjithashtu një nga pikat e rëndësishme në mbledhjen e djeshme ishte projekti për studimin urbanistik i zonës prej 315 ha në lagunë e Nartës, komuna Qendër. Në këtë projekt është parashikuar krijimi i një zone turistike në një sipërfaqe prej 315 ha, duke e kthyer këtë zonë në një nga pikat turistike më të frekuentuara në rajon. Në këtë hapësirë janë parashikuar të pushojnë nga 15 mijë deri në 20 mijë pushues në muajt korrik dhe gusht. Parashikohet që rreth 17 mijë veta do të pushojnë në vila dhe hotele që do të ndërtohen në sajë të projektit të miratuar. Gjithashtu do të ndërtohen 7000 apartamente, një port turistik me 100 jahte dhe 1 mijë varka të ndryshme turistike. Në sajë të projekt-studimit, në zonën e Nartës do të ketë vila, apartamente, hotele, brez të gjelbër, pishina, bare, sheshe lojërash, pishina sporti, restorante të ndryshme, klube dhe fusha me aktivitete sportive të ndryshme, qendra tregtare, banka, etj. Investimet që do të kryhen në zonën e Orikumit dhe të Nartës do të financohen nga kompani të huaja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›