E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi: Të legalizohen asetet e kompanive

 

Fabiola Çela

Të legalizohen asetet e kompanive, të ulet TVSH-ja, të hiqen pagat e referencës për ndërtimin, këto kanë qenë disa nga kërkesat e biznesit. Në mbledhjen e djeshme të asamblesë, komuniteti i biznesit ka publikuar edhe paketën e tyre antikrizë. Në këtë paketë ata i kanë propozuar qeverisë një sërë masash, zbatimi i të cilave do të ndihmonte së tepërmi komunitetin e biznesit për të kapërcyer situatën e vështirë, në të cilën ndodhen si pasojë e krizës globale.
Paketa
Gjatë fjalës së tij kryetari i Dhomës së Tregtisë Gjok Uldedaj ka theksuar se zbatimi i paketës antikrizë do të vinte në ndihmë biznesit, në këtë kohë krize ndërkombëtare. “Por pavarësisht, arritjeve tona dhe rolit të pamohueshëm që Dhoma e Tregtisë ka luajtur në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit, duhet pranuar se është e pamundur, që efektet anësore të saj të mos ndihen edhe në ekonominë e vendit tonë. Edhe pse jemi të mendimit se kriza në Shqipëri është më tepër e perceptuar sesa e jetuar realisht, mbështesim idenë që duhen marrë masat e duhura për nxitjen e sektorëve që në mënyrë indirekte janë prekur”, u shpreh ai. Sipas paketës antikrizë, të përgatitur nga vetë komuniteti i biznesit, qeveria duhet të kryejë menjëherë legalizimin e aseteve tregtare, si një masë kjo që do t’i injektojë ekonomisë vlera të mëdha, që sot qëndrojnë jashtë sistemit të ekonomisë formale. Gjithashtu komuniteti i biznesit i ka propozuar qeverisë që të heqë TVSH-në për importin e makinerive prodhuese dhe atyre të mekanikës bujqësore dhe TVSH-ja të paguhet vetëm në rastin e rieksportimit të këtyre makinerive. Të ulet TVSH-ja për importin e makinerive për përdorim në industrinë e ndërtimit dhe vlera e kësaj TVSH-je të paguhet me këste të zgjatura. Gjithashtu, biznesi i ka propozuar qeverisë që të heqë pagat e referencës për sektorët e ndërtimit, të prodhimit dhe për biznesin e vogël. Një tjetër kërkesë e biznesit ishte edhe kreditimi me kredi të buta për kompanitë që vendosin të aplikojnë standardet ISO, etj. Lejet e ndërtimit kanë zënë një vend të rëndësishëm në kërkesat e biznesit. Sipas tyre, qeveria duhet të marrë masat e duhura për liberalizimin faktik të lejeve të ndërtimit, duke thyer kështu situatën oligopol të krijuar në disa nga bashkitë më të mëdha të vendit, të cilat sipas komunitetit të biznesit kanë deformuar tregun dhe kanë frenuar zhvillimin ekonomik të vendit.

Paketa antikrizë e biznesit

Të ngrihet një komision koordinativ-konsultativ antikrizë i nivelit të lartë, ku të jenë të përfaqësuar më së paku Biznesi shqiptar, Banka e Shqipërisë, Qeveria, Komisioni i Ekonomisë dhe i ligjeve të Parlamentit shqiptar.

Të vazhdohet me shpejtësi procesi i nisur i reformave dhe në këtë kuadër të vihet në funksionim sa më parë QKL.

Të vlerësohet sa më parë dhe me pozitivitet propozimi ynë për legalizimin e aseteve tregtare, si një masë që do t’ injektojë ekonomisë vlera të mëdha e të rëndësishme, që sot qëndrojnë jashtë sistemit të ekonomisë formale.

Të hiqet TVSH për importin e makinerive prodhuese dhe atyre të mekanikës bujqësore dhe paguhet TVSH vetëm në rastin e rieksportimit të këtyre makinerive. Të ulet TVSH për importin e makinerive për përdorim në industrinë e ndërtimit dhe vlera e kësaj TVSH-je të paguhet me këste të zgjatura.

Lidhur me nisëm e qeverisë për blerjen e 6 mijë apartamenteve për të pastrehët, kërkojmë që kjo nismë të thellohet, duke favorizuar familjet që blejnë shtëpi për herë të parë (për sipërfaqe deri në 90m2) dhe ku shteti të mund të marrë përsipër së paku 3 % të interesit të kredisë (për blerjet e realizuara deri në maj 2010). Po për të njëjtën kategori dhe për të njëjtën periudhe të hiqet edhe taksa hipotekare.

Të gjenden dhe të aplikohen me shpejtësi instrumentet, që garantojnë liberalizimin faktik të lejeve të ndërtimit, duke thyer situatën oligopol të krijuar në disa nga bashkitë më të mëdha të vendit, të cilat kanë deformuar tregun dhe kanë frenuar zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Të hiqen pagat e referencës për sektorët e ndërtimit, të prodhimit dhe për biznesin e vogël (shpk., ose person fizik).

Të investohet në drejtim të promovimit efektiv të resurseve natyrore të Shqipërisë dhe avantazheve të ekonomisë Shqiptare dhe kjo duhet koordinuar dhe realizuar në bashkëpunim të ngushtë me DHTI si organizata, që qendërzon zërin e komunitetit më të madh dhe më të rëndësishëm të biznesit në vend.

Në bashkëpunim me DHTI:
(i) të ideohen dhe mbështeten programe realiste që ndihmojnë konkretisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme;
(ii)të verifikohet me kujdes dhe realizëm efekti faktik i programeve, që janë aktualisht në aplikim e sipër dhe të veprohet me shpejtësi korrigjimin e të metave;

Biznesi i vogël të taksohet sipas vlerës së bilancit të thjeshtë të pranuar të një viti më parë dhe diferencat të kalibrohen në momentin e dorëzimit të bilancit të vitit në vazhdim. Në këtë kuadër të gjenden dhe të aplikohen me shpejtësi instrumentet, që i japin fund praktikës së pakuptimtë, abuzive dhe të dëmshme sipas të cilës, pushteti lokal i takson këto biznese sipas një bilanci të supozuar dhe përherë më të lartë se ai reali.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›