Kapet peshkaqeni "dhelpër"
VLORE - Ekuipazhi i një anijeje peshkimi ka kapur mbrëmjen e së martës një peshkaqen 4 metra të gjatë dhe që peshonte 2.5 kuintalë. Peshkaqeni u kap në hapësirën detare mes ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit, rreth 15 milje në perëndim të bregdetit të Vlorës. Sipas Kapitenit të ekuipazhit të peshkarexhës "De Rada", specia e rrallë për ujërat e bregdetit të Vlorës kishte mbetur në rrjetat e hedhura në det dhe u nxor në kuvertën e anijes i gjallë. Ata nuk ishin në gjendje të përcaktojnë llojin e këtij peshkaqeni, që kishte ngjyrë të errët në gri. Por më pas disa peshkatarë pohuan se kishin të bënin me një peshkaqen Dhelpër. Mësohet se specia nuk është e rrezikshme, për shkak se nuk kishte dhëmbë si ato të peshkaqenëve të tjerë. Një pjesë të peshkut e kishin konsumuar që në anije vetë ekuipazhi, ndërsa pjesa tjetër u shit në restorante. q.b