E Shtunë, 31 Tetor 2026

S'ka BE për Serbinë

Deri në mars të vitit të ardhshëm Serbia duhet ta bindë Këshillin Evropian, duke dëshmuar angazhim dhe duke shënuar përparime në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun me Kosovën, përshirë menaxhimin e integruar të pikëkalimeve, marrëveshje për bashkëpunim të plotë rajonal, si dhe të bashkëpunojë aktivisht që të mundësohet zbatimi i mandatit të EULEX-it dhe KFOR-it.

Presidenti i Këshillit të Evropës, Herman Van Rompej të premten në konferencën për media në Bruksel ka thënë se vlerësimi i ardhshëm i Bashkimit Evropian (BE) lidhur me atë nëse Serbisë do t’i ndahet statusi i kandidatit do të jetë më 12 shkurt, ndërsa Këshilli i Ministrave të BE-së për këtë vendimin definitiv do ta sjellë në mars.

“Dialogu Prishtinë-Beograd ka nisur dhe po jep rezultatet e para, derisa zbatimi i marrëveshjeve po lëviz përpara. Inkurajojmë Serbinë që të vazhdojë në këtë rrugë dhe të normalizojë marrëdhëniet me Prishtinën”, ka thënë Rompej.

Ai ka bërë të ditur se BE-ja do të vazhdojë të vlerësojë situatën dhe të shikojë se deri ku ka ardhur Serbia, ndërsa në shkurt 2012 do të vendoset për përparimin e Serbisë, gjë të cilën do ta konfirmojë Këshilli i Evropës në fillim të marsit.

Ndryshe, Rompuj ka theksuar se takimi i sotëm ka nisur me nënshkrimin e marrëveshjes paraprake me Kroacinë, e cila zyrtarisht do të jetë vendi i 28-të anëtar i BE-së në korrik të vitit të ardhshëm.

Tri kushtet e BE-së për Serbinë

Gjermania - me mbështetjen e Austrisë, Danimarkës, Finlandës dhe Britanisë së Madhe - thotë se marrëveshjet me Kosovën janë të pakta dhe të vonshme, sepse vijnë pasi serbët kanë sulmuar dhe lënduar javën e kaluar ushtarët austriakë dhe gjermanë.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do t’ia japin Serbisë statusin e kandidatit për anëtarësim në mars 2012, me kushtin që të përshpejtohen bisedimet me Kosovën.

"Liderët e BE-së do të kërkojnë më shumë përparime në bisedimet midis Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në konkluzat e samitit të sotshëm, të cilin e transmeton EUobserver.

Tri "nëse"-t e cekura në konkluzione kanë të bëjnë me implementimin me vullnet të mirë të marrëveshjeve për doganat, bashkëpunimin gjithëpërfshirës rajonal, dhe lejimin e trupave të NATO-s dhe policisë së BE-së për ta zbatuar mandatin në veri të Kosovës.

Nëse nuk përmbushen këto kërkesa, as marsi nuk është datë e sigurt për dhënien e statusit.

“Kjo nuk do të ndodhë nëse prapë gjuajnë në ushtarët gjermanë”, ka thënë një zyrtar i lart i BE-së, transmeton telegrafi.

Shefi i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka thënë herët këtë javë se Serbia duhet ta marrë statusin gjatë këtij viti. Por, një zyrtar i lartë i NATO-s, në të njëjtën konferencë në Bruksel ka thënë se njerëzit nuk i besojnë linjës së Serbisë se nuk i kontrollon militantët në veri të Kosovës.

"Ne e mirëpresim ftesën e presidentit Tadic që serbët të largojnë barrikadat dhe duam të shohim se kjo po ndodhë. Serbia ka ende lidhje me këtë pjesë të botës, dhe ne do ta çmonim shumë ndihmën e saj për ta kthyer lirinë e lëvizjes”, ka thënë ky zyrtar.

Serbia s’e fiton statusin e kandidatit

Këshilli i Europian vendosi sot në mëngjes që Serbia në mars ta marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, me kusht që të shënojë përparime të mëtejshme në dialogun me Prishtinën.

Serbia duhet gjithashtu të mundësojë lirinë e plotë të lëvizjes për EULEX-in dhe KFOR-in. Takimi i Këshillit, i cili zgjati mbi 10 orë, përfundoi të premten në mëngjes.

Presidenti i Këshillit, Herman Van Rompuy, tha në një konferencë shtypi se e gjithë rrjedha e parë e seancës i përkushtohej krizës në eurozonë, dhe se për zgjerim do të flitet gjatë ditës.

Megjithatë, sipas dokumentit të konkluzioneve me të cilat disponon Tanjug, e të cilat janë konfirmuar nga burimet diplomatike, Këshilli tashmë ka marrë vendim për zgjerimin, ndërsa shpallja publike pritet të bëhet të premten pasdite.

Sipas dokumentit, në pikën 16 të konkluzioneve të Këshillit, Serbia deri në mars 2012 do ta marrë statusin e kandidatit, nëse Këshilli deri atëherë bindet se "Serbia po dëshmon angazhim bindës dhe se ka shënuar përparime në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog, përfshirë menaxhimin e integruar të kufijve, marrëveshjen për bashkëpunim të plotë rajonal, si dhe të bashkëpunojë aktivisht që të mundësohet zbatimi i mandatit të EULEX-it dhe KFOR-it".

Mbledhja e Këshillit, të cilin e përbëjnë 27 krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së, u mblodhën natën mes të enjtes dhe të premtes deri në orët e hershme mëngjesit, ndërsa do të vazhdojnë punën pas një pauze të shkurtër me nënshkrimin e traktatit të pranimit me Kroacinë.

Lajmin për shtyrjen e kandidaturës së Serbisë e ka transmetuar edhe agjencia britanike Reuters, e cila është thirrur në burime të paidentifikuara diplomatike.

"Udhëheqësit e BE-së mund të shtyjnë të premten vendimin për dhënien e statusit të kandidatit zyrtar për anëtarësim në BE, për shkak të shqetësimeve se Beogradi nuk ka bërë sa duhet për të përmirësuar marrëdhëniet me Kosovën", thonë diplomatët e BE-së sipas Reuters.

Agjencia citon diplomatin e BE-së të thotë se Këshilli i Europian mund të angazhojë ministrat, më së largu deri në mars, për të vërtetuar nëse Serbia ka përparuar. Ndërsa, një tjetër diplomat ka thënë se momentalisht vendimi do të shtyhet për në mars.

Për një vendim pozitiv për Serbinë duhet konsensusi i plotë i të gjitha shteteve të BE-së.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›