E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’ka anestezi për pacientët pezullohen operacionet në ORL

Pezullohen operacionet në spitalin francez të QSU. Shkak për këtë situatë është bërë mungesa totale e anestezisë. 

ZIRINA LLAMBRO

Është afërmendsh të mendosh se mund të kryhet një ndërhyrje kirurgjikale pa preparatet për narkozën. Burime të sigurta nga shërbimi i ORL  pohuan për gazetën se, dje është kryer vetëm një operacion për heqjen e një tumori të laringut e më pas është vendosur që në javën në vijim të mos kryhet asnjë i tillë. “Nuk është më gjë e re mungesa e antibiotikëve të shtrenjtë të domosdoshëm për të sëmurët, por ajo që na ka shqetësuar më shumë është se nuk është bërë asnjë furnizim me lëndët e narkozës. Këto nuk mund të sigurohen në farmaci nga vetë pacientët, pasi kategorizohen tek drogat dhe janë vetëm për përdorim spitalor”, pohuan burimet brenda shërbimit të ORL. E njëjta situatë sipas tyre, paraqitet edhe tek okulistika dhe shërbimet e tjera të spitalit francez. Madje, burimet bënë me dije se mungesa të theksuara të preparateve të anestezisë ka edhe tek neurokirurgjia e kardiokirurgjia. “Numri i operacioneve në këto shërbime është reduktuar ndjeshëm”, thanë burimet. Ndërkaq, Drejtoria e Spitalit mohon mungesat. Sipas drejtuesve të saj, edhe pse spitali po përballet me krizën e ilaçeve, klinikat kirurgjikale janë furnizuar normalisht me antibiotiket e lëndët e narkozës. Për të kryer normalisht një operacion, këto lloj preparatesh janë të domosdoshme. Por në mungesë të tyre nuk dihet si u shkon filli edhe pacientëve që vijnë me urgjencë në spital. “Edhe për urgjencat ekstreme nuk dimë ku t’i gjejmë medikamentet, farmacia është bosh”, sqaruan burimet nga ORL. Ndërkaq, që prej disa ditësh drejtoria ka lëshuar urdhrin e përvitshëm për reduktimin e operacioneve, gjatë stinës së verës. Deri në shtator nuk do të kryhen më operacione të planifikuara, por do të priten vetë rastet urgjente. Ky urdhër do të zbusë disi problemet me mungesat, deri sa të përfundojnë procedurat tenderiale dhe të nisë furnizimi normal i spitalit “Nënë Tereza” me ilaçe.

Gëlojnë infeksionet,s’ka dezinfektantë

Spitalit “Nënë Tereza” që prej disa muajsh i mungojnë edhe dezinfektantët e detergjentet. Kjo pasi tenderat nuk janë bërë që prej një viti. Kështu, pavijonet lahen vetëm me ujë, ndërsa sallat e operacioneve janë kthyer në vatra infeksioni. Problemin kanë pranuar edhe drejtuesit e QSU. Sipas tyre, drejtoria është munduar ta zgjidhë këtë problem, duke blerë vetë materialet dezinfektuese, por gjatë gjithë kësaj kohe ato janë përdorur me kursim. Sipas protokollit të spitalit, një sallë operacioni i ka të mëripërcaktuara rregullat e dezinfektimit. Madje në këtë protokoll është specifikuar edhe masa e përzierjes së tyre përpara kryerjes së një ndërhyrje kirurgjikale. Duhet të jenë ambientet më sterile për të evituar infeksionet, por në fakt nuk ndodh aspak kështu. Për rrjedhojë pacientët marrin peshqesh edhe një tjetër sëmundje që duhet të luftohet duke i dendur me antibiotikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›