S’ka internet, bllokohet puna për pasaporta
FIER - Rikthehet kaosi në sportelet e aplikimit për karta identiteti dhe pasaporta biometrike në Fier. Që prej mesditës së martë mungon interneti, çka e ka bërë tepër të vështirë gjendjen. Që nga ajo ditë nuk është bërë asnjë aplikim, si për pasaporta ashtu edhe për karta. Emigrantët janë ata që kanë kosto të lartë nga ky bllokim, pasi duhet të pajisen me dokumentet identifikues pas skadencës së pasaportave të vjetra. Ata thonë se janë në pritje të fillimit të punës, por nuk dinë asgjë se kur mund të zhbllokohet situata. "Kemi ardhur disa ditë rresht dhe jemi larguar, pasi na kanë thënë se ende nuk ka ardhur linja e internetit. Jemi larguar e kthyer me dhjetëra herë, aq sa pyesim dhe ikim prapë. Po na përfundojnë edhe ditët e qëndrimit në Shqipëri dhe ende nuk dimë se çfarë do bëhet. Këtu nuk na pret njeri. Edhe një numër telefoni që kanë lënë tek dera nuk përgjigjet", thotë emigranti Kledi Mani. Nga operatorët e aplikimeve për dokumentet identifikues biometrikë mësohet se puna është ndërprerë që të hënën në mëngjes, por kjo nuk ka ndodhur përgjatë gjithë ditës, por me orë të veçanta. Ndërsa që nga e marta interneti nuk është rilidhur më. Mungesa e tij ka lënë në paralizë të plotë edhe zyrat e gjendjes civile, të cilat nuk kanë mundur të japin certifikata për qytetarët, ndërsa janë pezulluar kësisoj edhe shërbimet që ofrohen në këto zyra, siç janë regjistrimet e reja, celebrimet, pasaportizime, etj. "Na kanë thënë që është një defekt në qendër dhe ka prekur të gjithë sistemin në rrethe. Ata po punojnë, sipas fjalës që na thanë, dhe ne po presim. Nuk mund të bëjmë gjë tjetër, pasi nuk e kemi në dorë këtë kontroll", u shpreh kryetari i Rajonit Nr.2 në Fier, Maksim Zarka. m.r