E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafik metadoni

Ilirian Dajti mori drejtimin e rrjetit të heroinës, pas arrestimit të kushëririt. Pesë persona u arrestuan gjatë operacionit

TIRANË - Edhe pse vetëm një sasi e vogël metadoni u bllokua dje gjatë një aksioni policor antidrogë, substanca narkotike dyshohet se ka gjetur treg edhe në kryeqytet. Me të njëjtat veti shkatërruese si drogat e tjera, tashmë substanca bën pjesë në drogat që konsumohen nga përdoruesit. Afro 1.5 gramë metadon u sekuestrua dje gjatë operacionit në vazhdim “Bardhë e zi”. Mësohet se lënda nuk është e ligjshme as për farmacitë në vendin tonë, të cilat e kanë të ndaluar metadonin, i cili për nga ana mjekësore shërben si qetësues për dhimbjet e forta, ashtu si morfina. Ndërkohë, për përdoruesit ajo ka të njëjtin efekti si heroina. Nga burime policore mësohet se metadoni nuk gjendet në Shqipëri dhe hyn nga jashtë kufijve, pa specifikuar ende një origjinë të saktë rreth së cilës vazhdojnë hetimet. Ditën e djeshme u realizuan pesë arrestime të shpërndarësve të lëndëve narkotike, kryesisht heroinës, por edhe të metadonit.

Arrestimet

Nëntë të arrestuarit e datës 23 korrik të këtij viti, në kuadër të operacionit “Bardhë e zi”, nuk kanë qenë të vetmit pjesëtarë të rrjetit. Katër muaj më vonë, pikërisht duke u gdhirë dita e djeshme, Seksioni i Luftës Kundër Drogës vuri në pranga edhe pjesën e dytë të trafikantëve të heroinës, anëtarë të të njëjtit grup kriminal. Nëse herën e parë policia tha se kreu i grupit ishte 30-vjeçari Krenar Dajti, person i dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje”, kësaj here si kreu i grupit u cilësua kushëriri i tij, 24-vjeçari Ilirian Dajti. Ky i fundit, i liruar falë amnistisë disa kohë më parë në vitin 2003, u arrestua për veprën penale të “vjedhjes me dhunë” kur ishte vetëm 19 vjeç. Burimeve të besueshme të policisë thanë për “Korrierin”, se pas arrestimit të kushëririt të tij, Dajti kishte marrë nën “administrim” rrjetin e shpërndarjes së heroinës në zonën e Alliasit dhe pranë Shkollës së Bashkuar. Arrestimi i 24-vjeçarit Dajti mësohet të jetë realizuar në Allias, së bashku me 23-vjeçarin Daniel Qemali, Jetnor Ademi, 23 vjeç dhe Ivzi Tota, 23. Ndërkohë, dy studentët lushnjarë që studionin për gjeologji minierash, Erion Todri, 25 vjeç dhe 21-vjeçari Algert Shehu, u vunë në pranga në “Rrugën e Kavajës”. Sipas burimeve zyrtare të policisë së kryeqytetit, u tha se prej afro dy muajsh personat e arrestuar ishin vënë në përgjim. Ata u kapën në flagrancë me 41.6 gramë heroinë, 1.6 gramë hashash dhe 1.4 gramë metadon, sasi këto të sekuestruara në cilësinë e provës materiale. Vepra penale që rëndon ndaj tyre është ajo e “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”. Katër muaj më parë, gjatë operacionit “Bardhë e zi 1”, u vunë në pranga Krenar Dajti, Bledar Kovaçi, Zamir Gjuzi, Agron Koçi, Elidon Xhiku, Geris Lala, Sokol Mhilli, dhe motrat Zize e Alma Mehmeti, teksa shisnin heroinë pranë shkollës 9-vjeçare “Bajram Curri” në rrugën “Niko Avrami”, në zonën e Alliasit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›