E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’ka para, video Meta-Prifti ekspertim “Made in Albania”

25/07/2011  Sot gjykata cakton ekspertët e video-përgjimit, të orës dhe lap-topit të Priftit

TIRANE-Boshllëku në buxhetin financiar të Gjykatës së Lartë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, duket se do ndikojë dhe në caktimin e ekspertëve që do kryejnë ekspertizën e video-përgjimit mes Ilir Metës dhe ortakut të tij Dritan Prifti. Mësohet se bëhet fjalë për tre emra ekspertësh, të cilët do caktohen nesër nga Gjykata e Lartë, për të kryer ekspertimin e video-përgjimit më të përfolur në vend. Mirëpo pamundësia e pagimit të mijëra eurove nga Prokuroria apo nga gjykata, duket se ka shtyrë akuzën dhe gjykatën që këtë herë t’i drejtohen ekspertëve të Institutit të Policisë Shkencore, për të riekspertuar videon, lap-topin, dhe aksesorët e tjerë si kamerat dhe orën, me të cilën ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, mundi të filmojë Ilir Metën, teksa ata ishin duke biseduar për një aferë korruptive 700 milionëshe. Mësohet se pëlqimin për ekspertizën “Made in Albania” e kanë dhënë dhe avokatët mbrojtës të ish-ministrit njëherësh ish-zv/kryeministrit Ilir Meta. Ndërsa për sa i përket Prokurorisë, burime pranë kësaj të fundit thanë se do ja lënë në dorë Gjykatës së Lartë për caktimin e emrave të ekspertëve shqiptarë ose të huaj. Ajo që deklarojnë burimet pranë Prokurorisë së Përgjithshme është se ata nuk mund të kryejnë asnjë pagesë financiare lidhur me këtë ekspertizë, për shkak të kostos tepër të lartë të këtij shërbimi. Vetëm për ekspertizën e kryer nga eksperti amerikan Glen Bard, akuza ka paguar nga buxheti i saj shumën prej 15 mijë dollarësh. Një shumë financiare pak më e ulët se kjo i është paguar nga buxheti i Prokurorisë dhe specialistit anglez Adrian Phillips, të cilit ju la detyrë për pastrimin e zërit të videos Meta-Prifti. Momentalisht këto para shërbyen vetëm për ngritjen e akuzës ndaj liderit të LSI, Ilir Meta, dhe dërgimit të çështjes penale në Gjykatën e Lartë, por për sa i përket njohjes së ekspertizave të kryera me to, aktualisht ato nuk mund të përdoren si prova pasi Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i ka quajtur si të paligjshme. Dosja penale Meta-Prifti është në fazën fillestare të gjykimit ku momentalisht asnjë nga dëshmitarët nuk është dëgjuar të flasë rreth kësaj çështje. Dëshmitari kryesor Dritan Prifti, që konsiderohet si i penduari i Prokurorisë, ishte planifikuar të dëshmonte të premten e kaluar, por Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ndryshoi radhën e marrjes së provave, duke shmangur dëshmitarët. Ka shumë mundësi që dëgjimi i 22 dëshmitarëve të Prokurorisë të bëhet në muajin shtator. Mes dëshmitarëve VIP janë Rezart Taçi, Agim Rrapaj, Dritan Prifti dhe biznesmenë të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›