Skadon afati, bllokohet marrëveshja opozitë-maxhorancë për zgjedhjet

Gramoz Ruçi dje në Parlament
Debat mes opozitës e maxhorancës në Kuvend.
PS akuzon Kryeministrin se po dështon integrimin për të vjedhur zgjedhjet. Berisha: Harrojini presionet, dështuat 36 herë.
Kryeministri: Keni dështuar në mënyrën më ekzemplare, në 36 ultimatume, zero pranim.
Ngec pakti midis demokratëve dhe socialistëve. Parlamenti dje u përfshi në debate të ashpra lidhur me bllokimin e dy reformave kryesore, asaj zgjedhore dhe parlamentare. Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në Kuvend se opozita po shkel marrëveshjen e firmosur për realizimin në bashkëpunim të reformave, duke kërkuar ndryshimin e Kushtetutës së vendit. Shefi i qeverisë i cilësoi si të papranueshme propozimet e PS-së për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit. Vendosja e limitit për fjalën e Kryeministrit në Parlament, sipas Berishës, është i papranueshëm. Kërkojnë që Kryeministri të ketë kohë të barabartë me kryetarin e minorancës në Parlament. Kjo, sepse kryetari i tyre, i cili është edhe kandidati kryesor për Kryeministër, në logjikën formale, nuk garoi për deputet. Unë e pengova zotërinë? Përkundrazi, i ofrova në atë kohë ndryshimin e Kushtetutës që ti lejonte të ishte edhe kryetar bashkie, edhe të garonte si deputet, e i thotë grupit të tij: Vërjani Kryeministrit kufirin te thana në platformë dhe për të bllokuar reformën shkel marrëveshjen dhe kërkon ndryshimin e Kushtetutës, theksoi Kryeministri. Nga ana tjetër, kryetari i Grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, theksoi se ndryshimi i Rregullores është i domosdoshëm për të eliminuar ndërhyrjet e njëanshme që i ka bërë maxhoranca Rregullores. Ruçi theksoi se opozita nuk ka kërkuar ndryshime në Kushtetutë. Kërkesa e opozitës është ajo që Kryeministri të mos jetë një zë i vetëm në Parlament, se prandaj është Parlament ky. Që Kryeministri për atë që thotë në Parlament të ketë edhe një përgjigje, të cilën ju e keni ndaluar. Siç doni ta ndaloni sot moj zonjë me Rregullore të Parlamentit, se ske të drejtë ti përgjigjesh Kryeministrit. Në cilin Parlament të botës, më thoni një, flet Kryeministri dhe nuk ka përgjigje nga opozita?!, pohoi kreu i Grupit të PS-së.
Presioni
Kryeministri Berisha theksoi se edhe propozimi i PS-së për të dënuar me 5 deri në 8 vite burg komisionerët që manipulojnë zgjedhjet është i papranueshëm. Ndërkaq, Gramoz Ruçi theksoi se maxhoranca nuk i do korrigjimet në Kodin Elektoral, sepse ka frikë nga vota e fshehtë. Arsyeja që ju dhimbsen ata që do të dënohen dhe penalizohen, se të penalizuarit e vërtetë janë në pushtet, janë aty në Ministrinë e Brendshme, që falsifikojnë kartat e identitetit, pohoi Ruçi. Ndërkaq, kryetari i Grupit të PS-së theksoi se opozita ka kërkuar që dekretet e Presidentit të votohen në mënyrë të fshehtë. Por, për Kryeministrin këto propozime janë të papranueshme. Berisha theksoi se maxhoranca nuk do ti lutet opozitës për statusin e vendit kandidat. E përsëris se nuk do të keni asnjë presion nga ne. Sikundër, harrojeni çdo lloj presioni mbi këtë shumicë! Edhe kur ka pasur, keni dështuar në mënyrën më ekzemplare. Në 36 ultimatume, zero pranim! Nëse mendoni se e votuat Kodin për ne, atëherë le ta anulojmë që nesër. Por Kodi nuk bëhet për ne, theksoi Berisha.
Debati ne Kuvend
Jozefina Topalli: Nuk keni të drejtën e fjalës zoti Ruçi në bazë të Rregullores, neni 27, pika katër, jo nuk ju jap fjalën. Flet njëri nga Grupi parlamentar, nga grupi tjetër.
PS nga salla: Jepja fjalën…
Jozefina Topalli: Zoti Ruçi, nuk je Kryeministër dhe nuk ke për tu ba kurrë besoj, jo besoj, por jam e sigurt. Ka një Rregullore, dhe zbatoj nenin 27. Më dëgjo o zoti Ruçi! Ka një Rregullore, nuk e di se si e keni në Asamblenë tuaj. Nuk asht punë muhabeti këtu, unë e kam me Rregullore. Të kalojmë programin, shkojmë te kalendari dhe e votojmë prapë.
Gramoz Ruçi: Pse na e jepni fjalën ne të opozitës, kaq shumë e doni opozitën.
Jozefina Topalli: Shqip po flas ore Gramoz, e ke fjalën mbas. Atëherë unë ndërpres seancën, fole 10 minuta në emër të Grupit të PD-së, 10 minuta në emër të PS-së, që i ezauruat.
Gramoz Ruçi: Po Berisha pse foli?
Jozefina Topalli: Është Kryeministër! Ia jap fjalën sa herë të dëshirojë, Kryeministri dhe ministri është në Kushtetutë. Kushtetutën, Rregulloren nuk e njihni, njihni kryetarin, unë njoh Kushtetutën. Ndërpres seancën, por do votoj programin, te kalendari i punës të jap fjalën. A jeni dakord me programin zotërinj deputetë? Votoni me karton, kush është dakord? A ka ndonjë kundër? Ju vetë e miratuar kalendarin në Konferencën e Kryetarëve, tani votoni kundër? Çfarë burrash jeni ju?
Gramoz Ruçi: Kam 20 vjet këtu në Parlament dhe kam provuar parafolësin edhe në karrigen e Kryeministrit që ia siguron Kushtetuta, dhe të liderit të opozitës.
Sali Berisha: Kërkojnë që Kryeministri të ketë kohë të barabartë me kryetarin e minorancës në Parlament. Kjo, sepse kryetari i tyre, i cili është edhe kandidati kryesor për Kryeministër, në logjikën formale, nuk garoi për deputet. Unë e pengova zotërinë? Përkundrazi, i ofrova në atë kohë ndryshimin e Kushtetutës që ti lejonte të ishte edhe kryetar bashkie, edhe të garonte si deputet. Këtë ia bëra në shenjë vendosmërie që të mos ndodhte, si në një rast unikal në Europë e në botë, ku komandanti nuk del në krye, por u thotë njerëzve të tij, si në një novelë greke: Vros pedhia, prapa ju vjen Jani. Para djem, prapa ju vjen Jani. Ndonëse mua më ndihmoi me mosgarimin e tij dhe unë e falënderoj publikisht, sikundër e falënderoj publikisht që garoi edhe për Bashkinë e Tiranës. E falënderoj unë atë, mos e keni merak ju. Ky zotëri që nuk pranoi të garojë, që nuk pranoi të vijë në Parlament, së pari, i thotë grupit të tij: Vërjani (atij) Kryeministrit kufirin te thana…
PS: Po lëre, merru me thelbin, thelbi është reforma
Sali Berisha: Jo, jo, thelbi është ky në platformë, dhe për të bllokuar reformën shkel marrëveshjen dhe kërkon ndryshimin e Kushtetutës. Së dyti, kërkojnë që dekretet të votohen fshehtas.
Nakim Dokle: Siç e ka Parlamenti Europian
Sali Berisha: Dakord, do vij unë aty. Për dekretet, apo jo? Edhe në këtë Parlament votojmë fshehtas për personat, por dekreti nuk është person, por akt madhor juridik. Nuk votohet personi, por dekreti, nuk votohet personi, por ligji. Të nderuar deputetë, ju kërkoni të impononi ndryshimin e nenit të Kushtetutës, që Kryeministri të mos flasë më shumë se 10 minuta apo baras me kryetarin tuaj të grupit. Janë dokumente ato të gjitha.
Sali Berisha: Lidhur me Kodin, jo mor zotëri, ne kemi pranuar deri tani çdo propozim tuajin, edhe nga më absurdët, por që nuk prekin disa parime themelore. Sipas teje, 25 mijë komisionerë socialistë të tradhtuan, atëherë o burra tu japësh nga 5 deri në 8 vjet burg. Nuk zgjidhet kështu o miqtë e mi, ne e vumë, do e votojmë. Ju besoj keni lexuar për raste, edhe kur e kapin si spiun, duke i dhënë informata shtetit tjetër, e dënojnë 4 a 5 vjet. Nuk mund të ekzistojë filozofia e bazuar në tërë urrejtjen ndaj armikut, vetëm se unë humba zgjedhjet. Unë pyes si ka mundësi që ju dilni para shqiptarëve me kërkesën për 8 vjet burg, për komisionerët tuaj. Çështë kjo? Sepse komisionerët tanë nuk i keni akuzuar kurrë, nuk keni paraqitur as edhe një fakt të vetëm ndaj tyre. Të gjithë betejën ju e bëtë me komisionerët tuaj.
Sajmir Tahiri: Mos i ki merak ata, ta kalojmë