E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skadon afati i pasaportave jobiometrike

Sot dalin nga qarkullimi pasaportat shqiptare për përdorim jashtë shtetit, jo biometrike. Pas vendimit të janarit për shtyrjen e afatit të skadimit të tyre deri në datën 1 mars, sot që data përkon me daljen nga qarkullimi të këtyre pasaportave mësohet se nuk do të ketë ndonjë shtyrje tjetër të afatit. Pasaportat jo biometrike, të cilat u njohën dhe si pasaportat e “Bundes Druckerei”, kompania gjermane e prodhimit të tyre hynë në qarkullim në vitin 2001.
Ndërsa prodhimi i pasaportave biometrike, të cilat janë edhe pasaportat aktuale të shtetasve shqiptarë për përdorim jashtë shtetit, filluan të prodhohen në vitin 2009.
Futja e pasaportave biometrike në përdorim për kalimin e lirë të shtetasve në zonën “Shengen” në kuadrin e liberalizimit të vizave që nisi zbatimin në dhjetor të vitit 2010 ka sjell aplikimin dhe pajisjen e një numri të madh shqiptarësh me këto pasaporta.
Ndonëse pritet një rritje e fluksit të aplikimeve për pasaportat biometrike, numri i madh i shpërndarë deri tashmë konsiderohet si tregues që fluksi i ri i aplikimeve do të jetë i menaxhueshëm nga kompania “ALEAT” që merret me prodhim e tyre.
Prej datës së sotme qytetarët shqiptarë mund të përdorin kartat e identitetit për veprime brenda vendit dhe pasaportat biometrike për këto veprime dhe për udhëtim jashtë shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›