E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skadon sot ultimatumi i PS për hapjen e kutive

TIRANE-Përfundon sot afati që opozita i ka vënë kryeministrit Sali Berisha për hapjen e kutive të zgjedhjeve të 28 qershorit. Mesdita e sotme është edhe fundi i durimit të socialistëve dhe koalicionit të partive që e mbështesin idenë për transparencë të votave të zgjedhjeve të përgjithshme. Burimet nga PS-ja bënë të ditur se sot, direkt pas përfundimit të afatit 10-ditor do të ketë një qëndrim politik, shprehur përmes deklaratave për shtyp, por ende nuk është caktuar një datë fikse sa i përket vijimit të protestave mbarëpopullore. Pritet që në datën 3, pra nesër, kryetari i PS-së Rama të diskutojë sërish me deputetët e grupit parlamentar socialist në lidhje me strategjinë që do të ndiqet pas heshtjes së Berishës lidhur me kërkesën e tyre kryesore. Ndërkohë që në datën 5 dhjetor përfundon gjithashtu edhe afati që drejtuesit vendorë, përfaqësues të PS-së, i kanë vënë sërish kryeministrit për t’u shprehur për kërkesat e tyre. Nga ana e vendorëve priten gjithashtu protesta, të cilat do të mbështeten këtë herë edhe nga elektorati socialist. Të njëjtat burime nga selia socialiste thanë se ajo që është paralajmëruar, pra shtimi i protestave të pandalshme në të gjithë vendin, do të ndodhë në ditët në vijim, ndoshta pas datës 8 dhjetor, ditë kur Berisha ka lajmëruar mitingun festiv me rastin e ditës së rinisë. Kjo, për t’iu larguar etiketimeve nga ana e maxhorancës, si “provokatorë” të ndezjes së situatës në vend.
Kërkesat
Pas përfundimit të afatit 10 ditor, kërkesat e PS-së dhe koalicionit të saj do të ashpërsohen. Transparenca e kutive të 28 qershorit tashmë do të kalojë në radhë të dytë, ndërsa kryesore do të jetë rrëzimi i kësaj qeverie dhe zgjedhje të parakohshme. Nga ana e tij, kryeministri Berisha e ka ironizuar këtë qëndrim të kreut të PS-së, duke u treguar indiferent edhe ndaj kërkesës për hapjen e kutive të votimit. Në këto ditë të fundit kryeministri ka shtuar dozën e sulmeve dhe akuzave ndaj kreut të PS-së, Edi Rama. Në seancën e fundit parlamentare, ndryshe nga herët e tjera kur u bënte thirrje deputetëve të PS-së t’i kthehen sallës së Kuvendit, Berisha përmendi një e nga një familjarë të Edi Ramës, duke komentuar marrëdhëniet intime dhe duke e akuzuar kryetarin socialist si njeri kundër familjes. Sulmi i nisur nga kryeministri, kur pritej që ky i fundit të jepte një mundësi për zgjidhjen e situatës, ka vijuar edhe gjatë këtyre ditëve nga drejtues të tjerë të PD-së. Por nuk kanë munguar edhe përgjigjet nga Edi Rama dhe drejtues të PS-së, duke zhvilluar kështu një betejë “flakë për flakë” me deklarata pas deklaratash. Pas gjithë kësaj situate, as PS-ja nuk dihet se si do të kërkojë ta vijojë luftën e saj. Drejtuesit e opozitës nuk kanë bërë publike me detaje konkrete strategjinë në vijim, duke mbetur ndoshta në pritje të sjelljes së palës tjetër. Por, gjatë gjithë kohës PS-ja ka mbetur në kontakt me grupet e interesit, të cilat duke filluar nga ky muaj, do të jenë pika kyçe ku opozita do të mbështesë aksionin për rrëzimin e qeverisë dhe të kryeministrit Berisha.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›