Trafiku i femrave, tutori rrezikon 16 vjet burg
PRETENCA
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi gjykatës deklarimin fajtor të Agim Kabashit, për kryerjen e veprës penale të "trafikut të femrave për qëllime prostitucioni" dhe dënimin e tij me 16 vjet burg. Gjatë seancës së djeshme gjyqësore, përfaqësuesi i organit të akuzës lexoi konkluzionet përfundimtare të hetimit gjyqësor, duke kërkuar deklarimin fajtor dhe dënimin me burg të shtetasit Agim Kabashi. Sipas prokurorisë, i pandehuri Kabashi rezulton përgjegjës për trafikimin dhe më pas shfrytëzimin e një shtetaseje, disa vite më parë në Angli. Përveç masës së dënimit të kërkuar me 16 vjet burg, prokurori kërkoi nga gjykata edhe vënien nën masën e sekuestros të pronave dhe pasurisë së tij, pasi dyshohet se janë ngritur në mënyrë të paligjshme. Sipas akuzës, të sekuestrohet vila trekatshe, në lagjen nr.14 në qytetin e Durrësit, që mendohet se është pronë e të pandehurit Agim Kabashi.