Premçi kërkon rikthimin në Polici

Shemsi Premçi
TIRANE Shemsi Premçi padit në Gjykatë Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për shkarkimin e tij nga pozicioni i drejtorit të Policisë, Dibër. Premçi u përjashtua nga Policia me një urdhër të kreut të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, më 27 prill 2012. Shkarkimi i Premçit u argumentua nga Policia e Shtetit me faktin se prej tij ishin shënuar një sërë shkeljesh të rënda ligjore. Dje, Premçi depozitoi një kërkesë-padi në Gjykatën e Tiranës, ku kërkon anulimin e këtij urdhri. Ai pretendon se vendimi që e përjashtoi nga radhët e Policisë është i paligjshëm. Në objektin e padisë thuhej se kërkohet anulimi tërësisht i aktit administrativ që i përket vendimit nr. 38, datë 27.04.2012, për dhënie mase disiplinore përjashtim nga Policia i palës së paditur, si akt i nxjerrë në kundërshtim me ligjin dhe provat. Shfuqizimin e vendimit nr. 7539, datë 21.05.2012, të Njësisë Rajonale e Policisë Rrugore Tiranë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Kërkesa e Premçit do të shqyrtohet nga gjyqtarja Mimoza Kajo. Në një reagim zyrtar pas përjashtimit të Premçit nga Policia e Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë tha se ndaj Premçit ishin adresuar një sërë ankesash nga drejtues dhe oficerë të Policisë së qarkut, Zyra e Përmbarimit, si dhe subjekte private të licencuara në shfrytëzimin e mineralit të kromit. Njëkohësisht ndaj tij, prokuroritë e rretheve Mat e Dibër kishin konstatuar veprime të kundërligjshme. ar.ba