E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skam lidhje me gjykatat

Berisha: Shpreh keqardhje për grevën

Në ditën e pestë të grevës së deputetëve socialistë, Kryeministri Sali Berisha deklaroi në mënyrë të qartë se ai nuk kishte ndërmend të shqyrtonte vendimet e gjykatave për hapjen e kutive. Në një prononcim për mediat, pas homazheve në varrezat e “Dëshmorëve të Kombit”, kreu i qeverisë theksoi se përgjigjet që kërkonin socialistët edhe me anë të grevës së tyre të urisë, u takonin gjykatave dhe jo atij. “Më duhet të them edhe një herë se Sali Berisha është Kryeministri i vendit, nuk është as gjykatësi, as prokurori i këtij vendi. Dhe unë nuk mund të merrem, nuk mund të imagjinoj të trajtoj vendime gjykatash, apo të marr përsipër funksione prokurorësh”, deklaroi Berisha. Por nga ana tjetër, kreu i qeverisë nuk harroi të theksojë se fakti që këta protestues dhe grevistë po qëndrojnë përpara ndërtesës së Kryeministrisë, tregon në mënyrë të qartë vlerat e lirisë që garanton qeveria. “Dhe unë dua të garantoj çdo qytetar shqiptar se do të mund të ushtrojë në liri të plotë të drejtat e tij kushtetuese”, nënvizoi Berisha. Kryeministri theksoi gjithashtu se ai ndjente keqardhje për grevistët, ndonëse nuk e këshillonte vendimin e tyre. “Natyrisht shpreh ndjeshmërinë time për vuajtjen e deputetëve dhe qytetarëve në grevë, vendim të cilin unë nuk do t’ua kisha këshilluar kurrë, por nuk kam alternativë tjetër përveç respektimit të tij”, deklaroi Berisha. Edhe tri ditë më parë kreu i qeverisë, ndonëse nuk fshehu ndjeshmërinë njerëzore ndaj grevistëve, deklaroi se ai nuk mund t’u vinte në ndihmë këtyre grevistëve, sepse kërkesat që ata shtronin ishin të parealizueshme. Nga ana tjetër, Berisha theksoi se kërkesat e socialistëve synonin shkelmimin e pavarësisë së institucioneve në vend dhe për këtë arsye nuk mund të plotësoheshin. Në lidhje me Ditën e Dëshmorëve, Kryeministri Berisha deklaroi se u shpreh që kjo është një ditë meditimi për lirinë dhe se shqiptarët po nderojnë sot të rënët e kombit, si një vend më i lirë se kurrë në historinë e tij. Pjesëmarrëse në homazhet e djeshme ishte edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Së bashku me Kryeministrin Berisha, Topalli zhvilloi një vizitë në familjen e të ndjerit Azem Hajdari.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›