Topalli: “Jemi në afatet e fundit të skadimit së mandatit të deputetëve të PS-së”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka shprehur bindjen se bojkoti i Partisë Socialiste do të marrë fund së shpejti. Ajo bëri të ditur dje gjatë një konference për shtyp, pas takimit që zhvilloi me homologun e saj malazez, se bojkoti do të ndalet pasi mandatet e deputetëve të PS-së ndodhen në fund të afateve të skadencës. “Kam gjashtë muaj që pres të ndalet bojkoti; nëse kjo ndodh para tryezës, apo pas tryezës, e rëndësishme është që të ndalet bojkoti për normalitetin e jetës parlamentare dhe demokratike. Jemi në afatet e fundit të skadencës të mandatit të çdonjërit prej deputetëve që akoma nuk ka ardhur për të bërë betimin dhe nuk është paraqitur në Parlament. Unë jam e sigurt se bojkoti do të marrë fund si mjeti më i papërshtatshëm dhe më pak europian. Shqipëria nuk meriton që në këto procese vendimtare, si liberalizimi i vizave, t’i lejojë vetes kapriço, apo papërgjegjshmërinë e bojkotit. Ndaj dhe i përsëris çdo deputeti, ndërgjegjes së tyre shoqërore dhe politike: Ejani në Parlament, keni vendin tuaj, keni hapësirën tuaj. Ndaj bëni detyrën që ju ka dhënë populli. Unë jam e sigurt se bojkotit po i vjen fundi”, - është shprehur Topalli, ndërsa theksoi se kriza ekziston vetëm në Partinë Socialiste.
Edhe kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiç, i cili ndodhet në Shqipëri për një vizitë zyrtare me ftesë të Topallit, u shpreh se bojkotet janë praktika që ndiqen vetëm në vendet me demokraci të re. “Ne jemi vende të vjetra, por me demokraci të reja. Edhe Mali i Zi ka qenë në një cikël bojkotesh të Parlamentit, tani ka thirrje për bojkot. Në demokracitë e reja kjo është një periudhë që duhet të kalojë. Unë jam i sigurt se për asnjë vend bojkoti nuk është mënyra më e mirë e zgjidhjes së problemit. Jam optimist që negociatat do të jenë zgjidhja më e mirë. Faza që do të çojë drejt forcimit të Parlamentit. Unë jam i bindur se parlamentarizmi shqiptar do të zgjidhë problemin në një kohë sa më të shkurtër”, - është shprehur kryetari i Parlamentit të Malit të Zi.
Gjatë takimit me Topallin të dy kryeparlamentarët kanë vlerësuar bashkëpunimin midis dy vendeve, ndërsa kanë rënë dakord që do të intensifikojnë marrëdhëniet në drejtim të proceseve integruese. Kështu, Shqipëria, si anëtare e NATO-s, do ta ndihmojë Malin e Zi të anëtarësohet në Aleancën e Atlantikut të Veriut, ndërsa Mali i Zi do ta ndihmojë Shqipërinë që së shpejti të përfitojë nga procesi i liberalizimit të vizave.
Berisha, vizitë zyrtare dyditore në Itali, takim me Berluskonin
Kryeministri Sali Berisha niset sot për një vizitë zyrtare dyditore në Itali. Gjatë qëndrimit në vendin fqinj, Berisha do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë të shtetit italian, duke veçuar këtu takimin me kryeministrin e Italisë, Silvio Berluskoni, me të cilin do të nënshkruajë edhe disa marrëveshje. Gjithashtu, Berisha të jetë i pranishëm në një konferencë ndërkombëtare që organizon Ministria e Ekonomisë së Italisë në Verona, si i ftuar nderi.
11 Shkurt 2010