E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandal i kryetarit te Bashkise se Sarandes

Bashkia Sarandë iu përgjigj me një grup prej 43 vetësh, ndër të cilët vetëm 5 janë fëmijë jetimë dhe 4 nga skema e ndihmës sociale, ftesës së Kryetarit të Bashkisë së Korfuzit, për të dërguar 20 deri 25 fëmijë në një kamp verë për 10 ditë në ishullin Vido.
Nga drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijës Sarandë u përzgjodhën vetëm 4 fëmijë dhe një shoqëruese e shtëpisë pasi sipas saj për të tjerët s'ka pasaporta. Çuditërisht grupi i fëmijëve në portin e Sarandës ishte një grup i shoqëruar nga prindër që janë pjesë e administratës së bashkisë dhe një pjesë sipërmarrës të njohur në qytet.
Fëmijët tregojnë se kanë qenë të ftuar nga shokët e prindërve dhe se po shkojnë në Korfuz në kamp. Ata kanë valixhe të rënda dhe kanë ardhur aty me makina luksoze. Të veçuar, fëmijët e shtëpisë së fëmijve për herë të parë po udhetojnë vetëm një grup i vogël.
Kryetari i bashkisë, Stefan Çipa, autor i këtij skandali thotë me nervozizëm se “nuk ka pse të jenë të gjithë fëmijët në nevojë apo fëmijët e shtëpisë së fëmijës, mjafton të jenë fëmijë nga Saranda”. Por specialistja e zyrës sociale nën tension sqaron se kriteret u përjashtuan për shkak se fëmijët jetimë nuk kishin pasaporta dhe se fëmijët me probleme sociale nuk arritën t’i përzgjidhnin.
Në listë lexohen qartë emrat dhe mbiemrat e fëmijëve, më së shumti familje të njohura si militantë në qytet si dhe mosha e fëmijëve deri në 17 vjeç, që ka shkelur edhe limitet e ftesës së fqinjëve. Kjo mënyrë abuzimi po shndërrohet në mënyrë shërbimi ndaj qytetarëve në Sarandë, shërbim me standarte të dyfishta, me qytetarë që presin korridoreve dhe nëpunës që vrasin kohën e përfitojne si pjesë e administratës Çipa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›