Arrestohet Gashi, plotësohet banka e të akuzuarve
Njëri nga të akuzuarit si anëtar i “Bandës së Durrësit”, Bujar Gashi, nuk do të gjykohet më në mungesë. Ai u arrestua dje për llogari të drejtësisë shqiptare dhe pritet të ekstradohet së shpejti. I kërkuari ndërkombëtar u arrestua në Itali. Burime zyrtare të Policisë së Shtetit bënë të ditur se 37-vjeçari, lindur në Kukës e banues në Durrës, është vënë në pranga në Trento, me qëllim ekstradimi në vendin tonë. Në qershor të këtij viti, Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, pasi akuzohej për konsumim të veprave penale të “vrasjes në bashkëpunim”, “mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe “krijimit të organizatës kriminale”. Ndërkohë që nga burime të besueshme policore bëhet e ditur se procedurat e ekstradimit kanë nisur menjëherë, për ta sjellë në Shqipëri e për të zhvilluar paralelisht procesin me anëtarët e tjerë të bandës. Duke qenë se çështja e Gashit u nda nga 16 të akuzuarit e tjerë si anëtarë të “Bandës së Durrësit”, për shkak të ngatërrimit të gjeneraliteteve të tij në fillimet e procesit, trupi gjykues vendosi ndarjen e çështjes.
Arrestimi
I akuzuari për pjesëmarrje në organizatë kriminale, vrasje me paramendim ndaj Dritan Dishës tetë vjet më parë në Shën-Vlash të Durrësit, u arrestua në zonën e Trentos. Vënia në pranga e tij erdhi si pasojë e një bashkëpunimi mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, pas informacioneve se Gashi fshihej në shtetin italian. I gjykuar deri tani në mungesë, arrestimi i tij u hapi rrugë proceduarave për ekstradim, çka do të lehtësojë ecurinë e gjyqit për të akuzuarit e “Bandës së Durrësit”. Në kërkesën për gjykim që Prokurorisë e Krimeve të Rënda ka paraqitur në gjykatë, thuhet se Bujar Gashi, i cili ka kryer krimet për llogari të bandës famëkeqe të Durrësit, i biri i Rakipit dhe i Fatimes, 37 vjeç, ka lindur në Kukës dhe banues në Durrës, beqar, me kombësi dhe shtetësi shqiptare. Ai akuzohet për kryerjen e veprave penale të “ pjesëmarrjes në organizatë kriminale”, “kryerje e krimeve nga organizata kriminale”, “vrasjes me paramendim në bashkëpunim” në dëm të Dritan Dishës, ndodhur më 9 korrik 2000, dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.
Ndarja e çështjes
Më 27 mars të këtij viti, në seancën e radhës, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi ndarjen e çështjes për të pandehurin Bujar Gashi. Shkak u bë ngatërresa e gjeneraliteteve të tij me një tjetër person, që faktikisht mbante të njëjtin emër dhe mbiemër të tij, por që ndryshonte atësia, datëlindja dhe vendlindja. Nga kjo ngatërresë, e dalë rastësisht gjatë një seance gjyqësore në fillimet e procesit, rezultoi se Gashi, i hetuar në mungesë, ishte ngatërruar me një person tjetër gjatë hetimeve, ndërsa kur çështja mbërriti në gjyq, gjatë verifikimeve rezultoi se Gashi që dyshohet se kishte kryer krime për llogari të “Bandës së Durrësit” ishte një tjetër person. Duke i paraprirë kërkesës së mbrojtësve se hetimi për Gashin ishte i paplotë, prokuroria kërkoi të tërhiqte dosjen në ngarkim të tij dhe të kryente veprime të tjera, ndërsa gjykata e rrëzoi këtë kërkesë dhe vendosi të veçonte gjykimin.
Ngatërresa e gjeneraliteteve
Në fillimet e procesit gjyqësor ndaj 15 të pandehurve të bandës, i gjykuari në mungesë, Bujar Gashi, u ngatërrua nga prokurorët. Zbulimi i “gafës” u bë krejt rastësisht nga kryesuesi i trupit gjykues, Gurali Brahimllari, i cili teksa lexonte të dhënat e Gashit, kuptoi edhe ngatërresën. E ndërsa emri i së ëmës dhe të atit të Gashit të vërtetë ishin ngatërruar, njëkohësisht ishte ngatërruar edhe statusi civil, si dhe vitlindja dhe datëlindja. Bujar Gashi i gabuar dhe i kërkuar nga drejtësia shqiptare ishte i biri i Ismailit dhe Hyries, i datëlindjes 8 dhjetor 1972, lindur dhe banues në lagjen 12 Durrës, përballë pallatit të sportit, i martuar dhe me një fëmijë, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, i padënuar më parë.