E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zona wirless edhe në universitete

Interneti në formë të "modernizuar", zonat wirless do të jenë të pranishme edhe në ambientet universitare. Fakultetet e Universitetit të Tiranës do të nisin të parët nga zbatimi i projektit ambicioz, duke sjellë për studentët jo vetëm ‘tendencën‘ e homologëve të tyre në Perëndim, por duke i ndihmuar ata edhe me financat. Interneti në fakultet do të thotë më pak shpenzime në qendrat e internetit dhe më shumë prestigj për vendin ku fitohen dije të specializuara. Sakaq, negociatat me kompanitë që ofrojnë shërbim të internetit kanë nisur një muaj më parë dhe pritet që finalizimi i këtij projekti të bëhet brenda një kohe të shkurtër. Fakulteti i parë që do të ofrojë shërbim wirless është i Histori-Filologjisë, por edhe të tjerat nuk do të mbeten pas.

Dje është konfirmuar zyrtarisht se 2107 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme në të gjithë vendin, aktualisht kanë pjesë të "aseteve" të tyre edhe lidhjen me internet. Kompjuterë, kabinete informatike dhe "paketat" e dijes ofruar nga mësuesit janë pjesë e ofertës arsimore që u jepet nxënësve shqiptarë, nga jugu në veri. Lidhja e shkollave në internet është pjesë e projektit që bashkëfinancohet nga qeveria shqiptare, Banka Botërore, Banka Europiane e Investimeve dhe Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës. Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) ka mbështetur hartimin e "masterplanit për programin e shkollave në Shqipëri". Dje, përfaqësi të trupave diplomatike, përfaqësues të sistemit arsimor, ishin pjesë e aktivitetit përmbyllës për suksesin e projektit, organizuar nga Ministria e Arsimit. I ftuari i nderit në këtë event ishte Kryeministri Sali Berisha, në nderim të prioritetit të qeverisë së tij, lidhur me "Shqipëria në moshën e internetit". "Sot bëhet realitet ajo që vetëm 4-5 vjet më parë ishte një ëndërr për thuajse gjithë nxënësit e Shqipërisë, mësimi me kompjuter dhe lundrimi në internet. Rreth 500 mijë nxënës fillojnë të mësojnë me kompjuter dhe internet në shkollë. Investimi total për infrastrukturën dhe lidhjen e internetit arrin vlerën 15.45 mln USD", tha ministri i Arsimit Myqerem Tafaj. Nga ana tjetër, Kryeministri u ka premtuar nxënësve se deri në fund të mandatit të tij qeverisës, do të plotësohet dëshira e fëmijëve, duke u dhënë mundësi të gjithë nxënësve të kenë internet në shtëpitë e tyre.

L.Mixha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›