E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzuan me detyrën, hetim 3 ish-zyrtareve

Tre punonjëse të sigurimeve shoqërore janë dërguar për ndjekje penale, pasi dyshohen se nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve kanë favorizuar për pensione disa persona. Hetimi i tyre është kryer nga seksioni kundër korrupsionit, që deri tani ka dokumentuar dy raste. Sipas të dhënave zyrtare të policisë kryeqytetase, njëri prej rasteve është regjistruar në vitin 2000 ndërsa rasti tjetër në vitin 2005, por dyshohen për një numër të madh rastesh të tjera. Burimet policore të Tiranës shpjeguan specialistët e seksionit kundër korrupsionit dërguan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në hetim të lirë, për veprën penale të "shpërdorimit të detyrës" në bashkëpunim, në ngarkim të Klodiana Baskos, 34 vjeçe, Elisabeta Subashit, 55 vjeçe dhe Liljana Çalamanit, 61 vjeçe, të gjitha banuese në Tiranë. Për të dyshuarat e sipërcituara, policia shpjegoi se duke qenë ish-punonjëse të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shëndetësore në Tiranë, përkatësisht me funksione pritëse e dokumenteve, inspektore përpunuese e pensioneve dhe Kryetare e Degës së Përfitimit të Pensioneve, kanë shpërdoruar detyrën. Ato dyshohen se kanë firmosur vendime të ndryshme për caktimin e pensioneve për disa persona. Më konkretisht, policia deklaroi zyrtarisht se dyshohet se më datë 11 shtator të vitit 2005, kanë përpiluar dokumentacionin përkatës të falsifikuar me synim përfitimin e pensionit në mënyrë të paligjshme të një shtetaseje, duke lëshuar vendimin për caktimin e pensionit. Po ashtu më datë 28 korrik të vitit 2000, mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara, kanë lëshuar vendimin për caktimin e pensionit, për një tjetër shtetase. Policia tha se po heton edhe më tej për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›