Në infektiv, çdo ditë 60 pacientë me infeksione
Çdo ditë, në shërbimin e infektivit paraqiten rreth 60 persona të prekur me gripin e zakonshëm, por edhe nga virusi AH1N1. Sipas statistikave të këtij shërbimi, të sëmurët e infektuar nga viruset në qarkullim ndahen 50 me 50. Sipas shefit të këtij shërbimi, Dhimitër Kraja, pacientët trajtohen ekzaminohen dhe rastet më të veçanta qëndrojnë për trajtim më të specializuar. Ndërkohë që deri tani ky shërbim ka pritur raste me komplikacione, por asnjë pacient nuk ndodhet në rrezik për jetën. Dje, në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza" është inauguruar pavijoni i reanimacionit në shërbimin e infektivit. Rikonstruksioni i këtyre ambienteve është financuar nga projekti i kontrollit të gripit të shpendëve dhe përgatitjes për parandalimin e pandemisë humane, me vlerën totale 600 mijë USD, si dhe nëpërmjet një kredie të Bankës Botërore për qeverinë shqiptare. Në pavijonin e ri të specializuar, të gjitha ambientet janë të rinovuara, duke përfshirë edhe vendosjen e aparaturave të reja apo trajnimin e stafit mjekësor. Çdo boks individual është pajisur me shtrat reanimacioni, respirator, monitor, aparat inhalacioni, aspirator portativ, shiringë elektrike dhe perfuzor. Gjithashtu, për të gjithë reanimacionin janë instaluar pajisjet e hemogazanalizatorit, aparat rontgeni i lëvizshëm, fibrobronkoskop, defibrilator, laringoskop, panel reanimacioni.
Shërbimi i infektivit në qendrën "Nënë Tereza" është ndër më të angazhuarit, duke pritur çdo ditë jo vetëm rastet nga kryeqyteti, por nga i gjithë vendi. Në këtë shërbim merren çdo ditë mostra ekzaminimi të pacientëve që dyshohen se janë të prekur nga gripi i derrit.
L.Mixha
Shërbimi i infektivit në qendrën "Nënë Tereza" është ndër më të angazhuarit, duke pritur çdo ditë jo vetëm rastet nga kryeqyteti, por nga i gjithë vendi. Në këtë shërbim merren çdo ditë mostra ekzaminimi të pacientëve që dyshohen se janë të prekur nga gripi i derrit.
L.Mixha