E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëntë muaj e zhdukur, kthehet dhe denoncon trafikimin e saj

Rreth nëntë muaj pasi nëna e saj kishte kërkuar ndihmën e policisë, pasi i kishin trafikuar vajzën, një 18-vjeçare denoncon "tutorët" e saj, duke rrëfyer se do ta shfrytëzonin për prostitucion. Mbarime M., 18 vjeçe, nga Kamza e Tiranës është paraqitur dje në polici, ku ka denoncuar disa persona të paidentifikuar nga policia që sipas saj do e trafikonin. Ajo është kthyer rreth nëntë muaj pas zhdukjes dhe nuk ka ngurruar të japë versionin e saj në polici, duke dhënë një dëshmi rrëqethëse. Sipas saj, e kishin rrëmbyer disa persona, të cilët kishin si qëllim trafikimin e saj. Policia bëri të ditur se po vazhdojnë hetimet për të zbardhur më tej detaje nëse vajza është shfrytëzuar për prostitucion. Burime nga policia thanë se adoleshentja u shpall në kërkim në mesin e muajit mars të këtij viti, pasi ishte larguar pa adresë nga banesa e saj. Sipas të njëjtave burimeve, çështja në dukje e rëndë ka bërë që t‘i kalojë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi adoleshentja dyshohet të jetë marrë për qëllime trafikimi dhe shfrytëzim prostitucioni, nga persona të paidentifikuar, të cilët do të hetohen për veprat penale të "trafikimit të të miturve". Pikërisht më 17 mars të këtij viti, nëna e 18-vjeçare, Xhuma M., me banim në Institut Bujqësor, ka shkuar në Komisariatin Nr. 5 dhe ka deklaruar se me 14 mars është larguar nga banesa vajza e saj. Madje, ajo ka pretenduar se është dërguar në Greqi kundër dëshirës së saj. Por, asnjëherë nuk u gjetën gjurmët e vajzës së re, deri dje, kur ajo është paraqitur për të denoncuar tutorët. Ajo ka treguar se e kishin marrë me forcë për qëllime trafikimi dhe ta shfrytëzonin për prostitucion. Tani, policia ka nisur punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›