E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandal në komisariatin e kryeqytetit, i mituri lihet në një qeli me të rriturit

Dobjani rekomandon masë disiplinore ndaj oficerit gjyqësor. Shkresa dërgohet te kryeprokurorja dhe kreu i Policisë së Tiranës

Laureta Rryçi
Tiranë - Skandal në qelitë e paraburgimit të një prej komisariateve të Tiranës. Avokati i Popullit i ka shkruar jo vetëm kreut të Policisë së kryeqytetit, por edhe kryeprokurores dhe prokurorit të rrethit për rastin e një të mituri që është gjetur në të njëjtën qeli me të rriturit. Sipas Avokatit të Popullit, Ermir Dobjani, nëpërmjet kësaj shkrese zyrtare rekomandohet dhënia e masës disiplinore ndaj oficerit të Policisë Gjyqësore, Grigor Prifti, si dhe organizim më të mirë të punës për të siguruar ndihmën juridike dhe psikologjike të të pandehurve të mitur gjatë kryerjes së veprimeve të para procedurale të pyetjes, arrestimit dhe kontrollit personal.
Ngjarja
Më datën 7 mars të këtij viti, një grup pune i institucionit të Avokatit të Popullit bëri inspektim në dhomat e sigurimit të Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë. Gjatë inspektimit u konstatua se në këto dhoma mbahej së bashku me të arrestuarit e rritur edhe shtetasi i mitur, Marsel Varka, i datëlindjes 04.09.1990, banor i qytetit Tiranë. Gjatë pyetjes së tij rezultoi se ai, më dt. 06.03.2008 është kapur në flagrancë nga shtetasi i dëmtuar Shyqyri Hoxholli duke i vjedhur atij një sasi kablli elektrik. Pas kapjes në flagrancë nga i dëmtuari ai është shoqëruar në polici, fillimisht në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë dhe më pas në Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë. Në këtë komisariat ai është marrë në pyetje dhe arrestuar në orën 22:00 nga oficeri i Policisë Gjyqësore Grigor Prifti, efektiv i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë. Gjithashtu u konstatua se veprimet procedurale të pyetjes dhe arrestimit të tij ishin bërë në kundërshtim me ligjin, K. Pr. Penale, sepse janë bërë pa prezencën e mbrojtësit, të punonjësit social apo prindërit, duke mos i dhënë atij ndihmën juridike dhe psikologjike. Oficeri i Policisë Gjyqësore, Grigor Prifti, shpjegoi se këto veprime në kundërshtim me ligjin, me të arrestuarin Marsel Varka, i kishte kryer për shkak se nuk kishte mundur të gjente avokat dhe psikolog në orët e vona të darkës. Ndërsa prindërit e tij nuk kishin ardhur për arsye se i ati nuk ishte gjetur në shtëpi, ndërsa e ëma e të arrestuarit kishte qenë e sëmurë.
Rekomandimi
“Këto veprime të oficerit të Policisë Gjyqësore përbëjnë shkelje të rëndë ligjore të të drejtave të të pandehurit të mitur Marsel Varka”, - thuhet në rekomandimin e Dobjanit. Në të njëjtën kohë, nga ana e komisionarëve, në disa raste është konstatuar se shkelje të tilla vijnë jo vetëm për mosnjohje të akteve normative apo të pakujdesisë nga punonjësit e Policisë Gjyqësore, por edhe për shkak të mungesës së organizimit të punës e të bashkëpunimit të drejtuesve të Policisë me Dhomën e Avokatëve dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor. Dobjani ka rekomanduar që ndaj oficerit të Policisë Gjyqësore, Grigor Prifti, të jepet masë disiplinore. Masa disiplinore t’i komunikohet në prani të efektivit me qëllim që të parandalohen shkelje të tilla në të ardhmen. Të organizohet më mirë puna me Dhomën e Avokatëve dhe me OJF-të, që kanë si objekt të veprimtarisë së tyre “mbrojtjen e të drejtave të të miturve”, me qëllim për të siguruar ndihmën juridike dhe psikologjike në të gjitha rastet e kryerjes nga oficerët e Policisë Gjyqësore të veprimeve procedurale për të cilat prania e tyre është e detyrueshme. Të ushtrohet në mënyrë të vazhdueshme kontroll ndaj akteve procedurale të përpiluara nga oficerët e Policisë Gjyqësore me të pandehurit e mitur lidhur me respektimin e të drejtave dhe detyrimeve ligjore për ndihmën juridike dhe psikologjike. Të urdhërohen shefat e Komisariateve të Policisë në Tiranë që të arrestuarit e mitur të ndahen nga të arrestuarit madhorë dhe të mbahen në dhoma më vete.

25 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›