Skandal në ‘Qemal Stafa’, Black Out gjatë Gramozi-Real
TIRANE- Skandal ne stadiumin “Qemal Stafa” gjate ndeshjes Gramozi-Real Madrid. Gazetari i News24 raportoi nga stadiumi se, sapo futbollistët u futën në fushë për të nisur pjesën e dytë të ndeshjes, u ndërpre energjia elektrike. Ndërsa pjesa e dytë duhet të niste në orën 19:00, tifozët dhe futbollistët kanë pritur me teper se 1 orë për pjesën e dytë të ndeshjes. OSSH bëri të ditur se shkak i mungesës së dritave ka qenë një qark i shkurtër që ka sjellë djegien e transformatorit ndërsa njoftoi se specialistët u nisën menjëherë në vendngjarje për të punuar për rikthimin e energjisë. Futbollistët u kthyen në dhomat e zhveshjes ndërsa tifozët e shumtë që kanë mbushur stadiumin filluan të tensionohen teksa prisnin rikthimin e energjisë elektrike dhe vazhdimin e ndeshjes. Mësohet se në tribunën vip të stadiumit ishte i pranishëm dhe vetë ministri i Energjetikës Dritan Prifti. Nga ana e saj Ministria e Energjetikës konfirmoi se defekti ka ndodhur në rrjetin e brendshëm të stadiumit, ndërsa konsideron të pafalshme mungesën e një gjeneratori. Sipas METE përgjegjësia bie mbi drejtorinë e stadiumit. Pas kësaj gjendjeje është shkarkuar menjëherë nga detyra drejtori i stadiumit, Perikli Dhales. Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi në barazim 1-1 ndërsa gjatë pjesës së dytë Reali ka mundur të shënojë golin e fitores. Goli i parë u shënua nga skuadra shqiptare që në minutën e tretë të takimit me anë të Daniel Xhafes, goli i dytë i tij në trofeun “Taci Oli” pas atij të shënuar ndaj Milanit vitin e shkuar. Kaka barazoi në minutën e 35-të duke bërë që gëzimi i Gramorit të zgjasë shumë pak, ndërsa goli i fitores u shënua nga Benzema. Real Madrid fiton në Tiranë trofeun “Taci Oil”. (e.n/BalkanWeb)