E Diel, 1 Nëntor 2026

“Statusi i kandidatit, jo pa plotësuar 12 rekomandimet”

Kështu deklaroi sot komisionari evropian për Zgjerimin, Stefan Fyle, në konferencën e zhvilluar menjëherë pasi ministrat e Jashtëm të BE-së vendosen t’i propozojnë samitit të krerëve të BE-së që mblidhet më 1 mars, dhënien e statusit kandidat për Serbinë dhe marrjen në konsideratë të nënshkrimit të MSA-së me Kosovën.

Fyle konfirmoi se nuk ka asnjë ndryshim në kriteret e përcaktuara nga Komisioni Evropian për Shqipërinë, duke theksuar edhe njëherë se vetëm përmbushja e këtyre kritereve kyçe mund ta bëjë Shqipërinë të fitojë statusin e vendit kandidat për në BE. “Kur të kemi informacione se Shqipëria i ka përmbushur këto kritere, atëherë do t’i raportojmë Këshillit Evropian dhe do bëjmë rekomandimet për hapin e radhës”, u shpreh eurokomisioneri.

I pyetur rreth sfidave që qëndrojnë para Shqipërisë, Fyle tha se duhet të vazhdojë procesi githpërfshirës i nisur në nëntor të vitit të kaluar si dhe bashkëpunimi qeveri-opozitë për të gjitha ato çështje që kanë lidhje me agjendën evropiane të Shqipërisë.

“Rregullat e lojës janë të qarta. Ka pasur një numër rekomandimesh kyçe dhe zbatimi i këtyre rekomandimeve është në të vërtetë kyç për Shqipërinë, si për të marrë statusin kandidat njësoj edhe për të çelur negociatat për anëtarësim. Dhe kurdo që të na vijë informacioni se Shqipëria ka dhënë rezultat mbi ato 12 rekomandime kyçe, atëherë do të informojmë dhe do t’i raportojmë Këshillit Evropian, me rekomandimet e duhura për miratimin e hapave të radhës”, nënvizoi komisionari Fyle.

Edhe ministri danez për Çështjet Evropiane, Nikolai Wammen, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së, theksoi se unioni mirëpret të gjitha hapat e ndërmarra nga Shqipëria për të promovuar reformat, demokracinë dhe stabilitetin në Evropë. “Shpresojmë të vijojmë bashkëpunimin e ngushtë me Shqipërinë në këtë drejtim”, u shpreh Wammen.

I pyetur nga nëse ka shënuar Shqipëria përparim të mjaftueshëm në mënyrë që të konsiderohet dhënia e statusit kandidat gjatë apo deri në fund të kësaj presidence, ministri danez u përgjigj: “Unë nuk mendoj se dikush e sheh këtë si një çështje që do të avancojë shpejt, por Presidenca mirëpret përpjekjet e komisionerit Fyle dhe të tjerëve në Komision për marrëdhënien tonë të ngushtë me Shqipërinë”.

Shqipëria aplikoi për anëtarësim në prill të vitit 2009, ndërkohë që statusi kandidat nuk është marrë ende në konsideratë për shkak të mosplotësimit të kritereve kyçe të caktuara nga Komisioni Evropian.

/Start/E.B/

                                                                                             2012-02-28 21:58
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›