E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandalet seksuale, Woods kërkon falje

NEW YORK- Golfisti më i famshëm i planetit, Tajger Uds, ka dalë për herë të parë përpara mediave që pas publikimit të skandaleve seksuale, për të kërkuar falje për sjelljen e tij. I ndjekur live në shumë telefizione dhe me nga mijëra njerëz të grumbulluar në Nju Jork Times Square, Uds ka kërkuar falje para të gjithëve. Ai u shkëput nga jeta publike që në muajin dhjetor, kur mediat zbuluan se ai kishte disa lidhje me shumë femra njëherësh, përfshi prostituta apo pornostare. Golfisti 34 vjeçar deklaroi se ka ndërmend të rikthehet të ushtrojë sportin e golit sërish, por nuk dha një kohë për këtë. “Kam qenë një njeri i pabesë dhe kam mashtruar, - deklaroi Tajger Uds. – Ajo që bëra unë nuk është e pranueshme dhe unë jam i vetmi person që duhet të fajësohet për këtë. Ndalova së bëri një jetë me vlera dhe kjo ishte shumë e vështirë për t’u besuar. E di që veprimet e mia kanë qenë të gabuara, por e pata bindur veten se rregullat normale nuk aplikohen. Nuk kam menduar kurrë se po lëndoja dikë”, u shpreh sportisti i famshëm amerikan. “Turpërova veten time, lëndova bashkëshorten time, fëmijët e mi, mamanë time, të gjithë miqtë e mi dhe fëmijët në mbarë botën që më shihnin me admirim”, shtoi më tej Tajger Uds. Ai më pas mbrojti gruan e tij, duke mohuar spekulimet mediatike se ajo e ka goditur fizikisht atë. “Dikush ka shkruar se Elin më ka sulmuar mua natën e Falënderimeve, por ajo nuk më ka goditur kurrë”, deklaroi golfisti. Uds e përfundoi deklaratën e tij të mea-culpas, duke thënë se do t’i nënshtrohet një terapie për të kuptuar se çfarë e bëri të ndryshonte sjellje. Për shkak të skandalit seksual, Tajged Uds pati një rënie të paimagjinueshme të popullaritetit në Amerikë dhe mbarë botën. Ai shihej gjithnjë si një shembull sjelljeje, por tradhëtitë e vazhdueshme bashkëshortore, bënë që edhe sponsorët e shumtë t’i largoheshin.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›