E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luçio mendon largimin nga Bajerni i Mynihut

Mbrojtësi i Bajernit të Mynihut, Luçio, synon që të transferohet në Spanjë, Itali ose në Angli. Braziliani ka deklaruar hapur se dëshiron të provojë një tjetër aventurë dhe tre kampionatet më të forta do të përbënin një sfidë shumë interesante. "Jam i bindur se tre kampionatet më të forta në botë janë në Spanjë, Itali dhe Angli dhe do të më pëlqente të luaja në njërën prej tyre", tha ai për gazetën "Abendzeitung". "Nëse ndonjë skuadër nga këto tri vende do të interesohej për mua, do të hyja në diskutime dhe nëse transferimi im do të realizohej, atëherë nuk do të kisha fjalë të tregoja kënaqësinë time". Braziliani militon me gjigantët bavarezë, që prej vitit 2004, kur u transferua nga Bajer Leverkusen. E përditshmja gjermane që ka publikuar deklaratën e lojtarit ka bërë të ditur se Barcelona është shprehur e gatshme të paguajë të paktën 15 milionë euro për të siguruar shërbimet e Luçios. Kontrata e 29-vjeçarit me Bajernin e Mynihut përfundon në vitin 2010. "Ata (drejtuesit e Bajernit) më kanë thënë se dëshirojnë të më mbajnë, vazhdoi braziliani. Megjithatë, të gjitha klubet ua thonë këto fjalë futbollistëve, me të cilët kanë kontrata afatgjata. Nga ana tjetër, nëse ndonjë klub interesohet, gjëja më e mirë është që të gjitha palët të flasin dhe të gjejnë një marrëveshje".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›