E Diel, 1 Nëntor 2026

PD-ja heq maskën ndaj PR-se, kërkon votat vetëm për veten

Nënkryetarja Topalli i akuzon “aleatët” si spiunë dhe mafiozë. Reagon Kryesia e PR-së: “Kemi marrëveshje me Berishën”

Eljona Ballhysa
Pavarësisht se Partia Demokratike ka nënshkruar marrëveshje me partitë aleate për të garuar në zgjedhjet e 28 qershorit si koalicion, kandidatët e saj po punojnë për të mbledhur votat vetëm për vete. Madje numri dy i selisë blu, Jozefina Topalli, gjatë një takimi elektoral, ka bërë thirrje kundër aleatëve të koalicionit të PD-së duke i cilësuar ata spiunë dhe mafiozë. Kjo deklaratë e Topallit kundër Partisë Republikane, që është cilësuar si një ndër aleatët më të ngushtë të PD-së, ka nxjerrë në pah strategjinë e PD-së për të mbledhur sa më shumë vota për vete. Deklarata ka tensionuar marrëdhëniet midis partive të koalicionit. Gjatë ditës së djeshme ka reaguar nënkryetari i PR-së, njëkohësisht dhe kandidat i kësaj partie në qarkun e Shkodrës, Neritan Alibali. Ai e ka cilësuar deklaratën e Topallit personale dhe të paarsyetuar. Alibali është përpjekur të zbusë tonet duke u shprehur se PR-ja ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin e PD-së, Sali Berisha dhe i qëndron marrëveshjes së nënshkruar. Nga ana tjetër, burimet bëjnë të ditur se PD-së nuk i interesojnë aspak votat për aleatët për shkak se dëmtojnë kandidatët e saj për deputetë. Sipas tyre, PD-ja në këtë fushatë synon të marrë sa më shumë deputetë nën siglën e PD-së dhe jo të aleatëve, për shkak se deputetët e saj i kontrollon më mirë në Kuvendin e ri.
Reagimi
Në emër të Kryesisë së Partisë Republikane ka reaguar dje nënkryetari i kësaj partie, Neritan Alibali, i cili është edhe kandidat republikan i qarkut të Shkodrës.
Alibali deklaroi se mes Partisë Republikane dhe asaj Demokratike ka një marrëveshje të nënshkruar më 21 mars të këtij viti nga dy kryetarët, Sali Berisha dhe Fatmir Mediu. “Ne e konsiderojmë qëndrimin e zonjës Topalli si kërcënim personal, të paarsyeshëm, që bie ndesh me paktin e nënshkruar me Partinë Demokratike. Ne i hedhin prapa qëndrimet personale të mbajtura nga gjithsecili dhe shohim nga e ardhmja”, - u shpreh Alibali. Republikanët kërkojnë që të votohet për koalicionin e djathtë dhe përmendin faktin se kryeministri Berisha e ka vlerësuar Partinë Republikane si aleatin më të ngushtë dhe se republikanët do të jenë serish në koalicionin qeverisës.
Thirrja
Vetëm një ditë më parë, gjatë një takimi elektoral në komunën Postribë të qarkut të Shkodrës, nënkryetarja e PD-së, njëkohësisht dhe kandidatja kryesuese e listës së PD-së në qarkun e Shkodrës, Jozefina Topalli, u bëri thirrje mbështetësve të PD-së që të mos votojnë për partitë aleate, duke i cilësuar ato spiunë dhe mafiozë. “Ne do të këmbëngulim që të marrim aq deputetë sa të qeverisim të vetëm, pa ato partitë e vogla, demokristianë, republikanë. Këta janë o spiunë, o mafiozë, o kontrabandistë”, - është shprehur Topalli gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim elektoral. Ky etiketim i Topallit për partitë aleate vjen në përfundim të mandatit të parë qeverisës gjatë të cilit PD-ja ka qeverisur bashkë me republikanët dhe demokristianët, të cilat numri dy i PD-së tashmë i quan spiunë, kontrabandistë dhe mafiozë. Ndërsa pak kohë më parë, kryetari i PD-së, i cili ka firmosur marrëveshje bashkëpunimi me PR-në, e ka cilësuar këtë parti, aleatin më të ngushtë të PD-së duke premtuar bashkëqeverisjen në rast të fitores së një mandatit të dytë në zgjedhjet e 28 qershorit.

Reagimi
Nard Ndoka: “Topalli, shprehja më e qartë e krizës në PD”

“Deklaratat e Topallit, shprehje e një krize të thellë morale dhe politike, por dhe paniku, lidhur me rezultatin e zgjedhjeve”. Kështu i ka komentuar kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, deklaratat e kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, kundër demokristianëve. Sipas Ndokës, Topalli është kthyer në një nga figurat më të urryera për qytetarët e Shkodrës. Ajo po e shikon çdo ditë e më shumë humbjen në Shkodër, nuk pranohet nga qytetarët dhe refuzohet në të gjitha strukturat. Sipas Ndokës, është kjo arsyeja se përse ajo e ka humbur tërësisht toruan dhe nuk di më se çfarë flet. “Topalli çdo ditë e më shumë e prek humbjen e mbështetjes në Shkodër, edhe përse përpiqet të vendosë terror me bandat e saj. Humbja nuk është e prekshme vetëm për Topallin, por dhe vetë PD-në. Kjo zonjë, së bashku me një grusht familjarësh të saj, e kanë zhvatur, sunduar, por asnjëherë qeverisur Shkodrën, dhe kjo gjë ka krijuar te qytetarët një klimë reaksioni”,- deklaroi Ndoka. Kreu i demokristianëve theksoi se Topalli e ka humbur edhe përmasën e të qenit “nënë”, pasi në mënyrë të dhunshme, me presione e shantazhe, nxjerr fëmijët nëpër mitingje, duke dhënë dhe shembullin më të shëmtuar të një gruaje, jo vetëm nënë, por edhe politikane. “Listat e kandidatëve të PD-së për deputetë janë të mbushur me emrat e një rrethi të ngushtë të familjarëve të Topallit, të papranuara nga qytetarët shkodranë, duke krijuar tek ta një klimë reaksioni dhe mospranimi. Tashmë ka ardhur momenti që qytetarët ta ndëshkojnë me votën e tyre këtë zonjë në agoni, të cilën më 28 qershor nuk do të munden dot ta ndihmojnë as bandat e saj”,- deklaroi Ndoka.

18 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›