E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali Euroil- Qeveria dhe shteti blenë naftë bruto me dokumente false

“Euroil”, kompania e vënë në qendër të skandalit të naftës Vergine, rezulton të ketë furnizuar me naftë të papërpunuar pjesën më të madhe të institucioneve shtetërore dhe qeveritare, duke filluar nga Këshilli i Ministrave deri tek Shërbimi Informativ Kombëtar. Ajo ka falsifikuar fletën e analizave të cilësisë, duke i shitur qeverisë dhe shtetit naftën bruto për karburant të përpunuar. Dhe kjo, sipas dyshimeve paraprake të prokurorisë, me dijeninë e drejtorisë së prokurimeve

Tiranë – Zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Zhvillimit të Prokurimeve pranë Ministrisë së Brendshme dyshohet të kenë patur dijeni, gjatë shpalljes si fitues të tenderit për furnizim me karburant nga subjekti “Euroil”, të shumë institucioneve shteterore e qeveritare, se kjo shoqëri ka dorezuar analiza false të naftes vergine. Nga hetimet të rregjistruara nga njësia task force e prokurorisë së Tiranës, për akuzën e shpërdorimit të detyrës, grupi i hetimit përveç konstatimit te mësipërm pritet të thërrasë së shpejti zyrtarë të kësaj drejtorie në funksion të hetimeve që u veçuan nga super dosja e skandalit me naftën virgin. Në një kohë që skandali i naftës vergine me 16 të pandehur për akuzën e mashtrimit, falsifikimit të dokumentave dhe pastrimit të parave ndodhet në gjykatën penale ku pritet që së shpejti të nisë gjykimi i tyre.

Prokuroria deklaron jo zyrtarisht se gjatë hetimeve për skandalin e naftës vergine, të denoncuar së pari nga ish- ministri i ekonomisë Dritan Prifti, u administrua një dosje nga Ministria e Brendshme, ku rezultoi se Drejtoria e Zhvillimit të Prokurimeve ka zhvilluar prokurime përgjatë vitit 2009 për furnizimin me karburante për Kryeministrinë, të gjitha ministritë, Shërbimin Informativ Shtetëror dhe drejtorite në varësi të këtyre institucioneve. Këto procedura janë kryer nga muajt Maj, Korrik, Tetor dhe Nentor 2009. Prokuroria deklaron jo zyrtarisht se “Euroil” është shpallur fitues i kësaj gare. Madje në Maj 2009, thotë prokuroria, subjekti “Euroil” rezulton fitues për të shtatë lotet.

Fillimisht në këtë çështje, thotë prokuroria, për procedurën e tenderimit janë ankuar firmat konkurruese. Ato pretendojnë sipas dokumenteve, që hetuesit disponojnë, për probleme në paraqitjen e një dokumenti shumë të rëndësishëm i cili bën specifikimin teknik të karburanitit apo bën raportin e anzlizës së plotë për  gazoilin s.sh.1997 të ofruar nga “Euroil”. Ky gazoil është i prodhuar nga Armo, thonë jo zyrtarisht prokurorët. Hetimet kanë zbuluar se analizat e karburantit, shoqeria euroil duhet ti merrte tek inspektoriati qëndror teknik (IQT) pasi të kishte dorëzuar atje një moster për analiza. Por përkundër kësaj, analizat janë dorëzuar gjatë prokurimit sikur ishin pikërisht të lëshuara nga IQT, pavarësisht se procecverbali i kqyrjes së fletë analizave në këtë institucion nuk e tregon një gjë të tillë.

Përgjatë të gjithë dokumentacionit të sekuestruar nga prokurorët, zyrtarët e IQT pohojnë se analizat nuk janë lëshuar nga laboratorët e tyre. Madje thonë zyrtarët e IQT, firmat në fund të analizave nuk janë të personave që janë staf në këto laboratore. Këto raporte pohon në rrugë jo zyrtare prokuroria, janë të përpiluara, sikur karburanti i ofruar për të gjitha institucionet në vend, i përmbush standartet e kërkuara, në një kohë që kjo nuk është e vërtetë, ndërsa nuk ka tregues kryesor për përmbajtjen e squfurit në të.

Prokurorët e çështjes, megjithëse janë të rezervuar për hetimin, nuk kanë arritur të përcaktojnë se për çfarë sasie bëhet fjalë në bazë të kontratave të furnizimit që shoqëria Euroil ka lidhur më pas me të gjitha institucionet. Sepse sipas hetuesve, atyre u intereson të saktësojnë më shumë procedurat e tenderimit, si janë kryer dhe si është përzgjedhur fituesi, sepse paraprakisht ka dyshime të forta të jenë shkelur rregullat nga zyrtarët e drejtorisë, edhe pse thonë hetuesit, duhej që në momentin kur u kontsatuan këto probleme në dokumentacion, kjo shoqëri duhej të përjashtohej automatikisht për tre vjet nga garimi.

Prokurorët pohojnë, jo zyrtarisht, se këto hetime për shkeljet e dyshuara nga drejtoria e përgjithshme e zhvillimit të prokurimeve janë rregjistruar si dosje e vecantë për akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi u gjetën shkelje gjatë dhjetra dokumenteve të bllokuara në hetimet e mëparshme për skandalin e naftës vergine.

Aktualisht në gjykatën civile të Tiranës janë të rregjistruara disa procese civile me palë të paditur subjektin “Euroil, dhe paditës disa nga institucionet kryesore ne vend. Procest janë regjistruar vec e vec dhe kanë të gjithë një objekt: Prishjen e kontratës me “Euroil”, si pasojë e cilësisë së dobët të karburantit.

Shkrime të tjera me interes:

  1. Kontrabandistët furnizuan ushtrinë me naftë vergine Tiranë- Një tjetër skandal me karburantet përfundon në dyert e...
  2. Skandali, qeveria rimburson 10 mijë invalidë të rremë Tiranë – Nëse pretendimet e shoqatave të personave me aftësi...
  3. Skandali, UEFA: Superioria e trukuar! Të paktën 12 ndeshje të shitura bazuar te raportët e...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›