E Diel, 1 Nëntor 2026

Kredia 250 milionë euro, asnjë bankë nuk e ofron të plotë

Rreth 150 milionë euro nga kredia, do të shkojnë për financimin e rrugës Durrës-Kukës

Deutsche Bank dhe Alpha Bank, të renditura të parat, ofrojnë rreth 70% të shumës. Kërkohet kredi në grup


Asnjëra nga bankat ndërkombëtare nuk ka ofruar të plotë kredinë prej 250 milionë eurosh për qeverinë shqiptare, kredi e cila, në fund të vitit të shkuar, ishte deklaruar të ishte 300 milionë. Në këtë mënyrë, kjo e fundit është detyruar të pranojë formën e kredisë sindikatë, apo kredisë së ofruar në grup, nga disa banka. Tenderi i përfunduar dy ditë më parë, shpalli fitues dy nga shtatë bankat në garë, gjermanen Deutsche Bank dhe greken Alpha Bank.


Por, as këto të dyja së bashku nuk kanë ofruar shumën e kërkuar nga qeveria, por afërsisht 70% të saj, ose rreth 180 milionë euro. Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha dje se pjesa tjetër do të negociohet me banka dhe donatorë të tjerë, për të plotësuar nevojën e qeverisë. Kriza botërore ka forcuar mbikëqyrjen e qeverive ndaj sistemit bankar, duke vendosur masa shtrënguese tek kreditimi dhe nxjerrjen e valutës jashtë vendit.


"Ky, sigurisht përbën një problem, pasi limitet që u janë vendosur bankave janë të tilla, të vogla, kështu që jemi të detyruar të shkojmë drejt një kredie - sindikatë, ku do të përfshihen një numër i madh bankash dhe po ju them që është kredibiliteti i ekonomisë shqiptare që e bën të mundur një financim të tillë, një interes të tillë nga këto banka që, sikurse e përmenda më lart, janë 7 prej bankave dhe qendrave më të mëdha financiare të Europës",- tha dje ministri i Financave.


Bode tha se, krahas dy bankave që u klasifikuan të parat, ofertë konkurruese paraqitën dhe Raiffeissen Bank dhe CreditSuisse, të klasifikuara përkatësisht në vendin e tretë dhe të katërt. Ministria tha se qeveria do t'u rekomandojë fituesve të përfshijnë në transaksion edhe Raiffeissen Bank dhe CreditSuise, të cilat, gjithashtu, paraqitën oferta konkurruese dhe treguan një interesim të lartë për të marrë pjesë në financimin që Ministria e Financave kërkoi në emër të qeverisë shqiptare.


Bode refuzoi të deklaronte normën e interesit, me të cilën do të merrej kredia, por tha se ishte shumë më e ulët sesa ajo në tregun e brendshëm. Ai e konsideroi si element konfidencial të procesit, pasi bankat e autorizuara kanë nevojë për konfidencialitetin në këtë proces.


Investimet


Kredia prej 250 milionë euro do të shkojë vetëm për investime publike dhe për të plotësuar nevojën në valutë që mund të kenë investimet publike, në bazë të kontratave, "Ç'ka do të thotë se do të jetë një instrument edhe për të dekurajuar presionin e zhvlerësimit të lekut në raport me valutat e huaja",- tha Bode. Rreth 150 milionë euro nga kjo kredi do të shkojnë për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, dhe, sipas Bodes, kjo shumë mund të rimbursohet deri në qershor.


Në buxhetin e vitit 2009, për ndërtimin e kësaj rruge janë parashikuar 30 miliardë lekë, ose rreth 250 milionë euro. "Kredia ndihmon që të mos kemi konvertim të lekut në valutë për të paguar kontrata, pra për të mos e bërë faktor buxhetin në lojën e tregut, por përkundrazi, buxheti të bëhet faktor i stabilitetit monetar, jo i destabilitetit.


Ky është qëllimi i kësaj kredie",- theksoi ministri. Zyrtarët e lartë të qeverisë thonë se, veç investimeve publike, kjo kredi do të ketë një ndikim pozitiv edhe tek kursi i këmbimit, ku kohët e fundit, monedha shqiptare ka pësuar një zhvlerësim të ndjeshëm.


Bode për interesin e kredisë 250 milionë euro
"Kredia, që ne po kontraktojmë, do të ketë një maturim trevjeçar, me opsionin që na lejon ta rifinancojmë pas vitit të parë pa asnjë lloj penaliteti, ç'ka do të thotë, mundësinë për të shfrytëzuar një konjukturë më të përshtatshme të tregut financiar botëror, nga pikëpamja e interesave dhe afateve të ofruara, pa paguar asnjë lloj penaliteti. Shpresojmë që tregu financiar ndërkombëtar të normalizohet dhe Shqipëria të mund të hyjë në tregun e eurobonove, përmes kësaj shume, duke paguar para kohe kredinë e marrë gjatë këtij viti dhe duke e shndërruar atë në një eurobono me interesa dhe afate më të përshtatshme për vendin tonë, për qeverinë shqiptare. Interesi i kredisë në këtë fazë është indikativ dhe do të caktohet në momentin kur grupi i bankave financuese të ketë mbledhur sasinë e kërkuar, pasi, sikurse e thashë, secila prej ofertave nuk plotësonte kërkesën e qeverisë shqiptare që të mund të kishim një interes të fiksuar që në këto momente. Jemi në fazën e autorizimit të dy bankave për kredi - sindikatë, dhe do të jetë shuma që ne kërkojmë, masa që do të ofrohet dhe interesat që do të përcaktojnë nivelin total të kredisë që do të marrim brenda objektivave dhe interesave tona",- përfundoi ai.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›