Baton zë vendin e parë, Shumi, i 10-ti
Ka qenë Xhenson Baton që është ngjitur në shkallën më të lartë të podiumit në çmimin e Madh të Australisë. Anglezi i McLaren ka mundur ta kalojë i pari vijën e finishit pas një gare që ka dhuruar padyshim spektakël, përfshirë këtu edhe largimin e Sebastian Fetel. Një paraqitje të shkëlqyer ka bërë edhe polaku i Renault, Robert Kubica, që është pozicionuar në vendin e dytë, duke lënë pas Ferrarin e Felipe Masës. Një finale spektakolare për Alonson (vendi i katërt), që ka arritur t’i bëjë ballë sulmeve të Hamilton (vendi i gjashtë) dhe Veber (vendi i nëntë), të cilët më pas kanë pasur edhe një fërkim midis tyre. Tepër zhgënjyese paraqitja e Mikael Shumaker. Pasi është nisur nga vendi i gjashtë, ai i ka dhënë fund garës në vendin e dhjetë. Mbetet për t’u vlerësuar gara fantastike e pilotit të McLaren, që ka qenë me të vërtetë e denjë për një kampion bote.