E Diel, 1 Nëntor 2026

Shuhet në moshën 59-vjeçare aktori i madh Agim Qirjaqi



Alma Mile

Në një ditë pranvere, kur dielli shkëlqente mrekullisht, u shua një prej emrave më të mëdhenj të kinemasë dhe teatrit shqiptar. I talentuari, i miri Agim Qirjaqi u nda dje nga jeta në moshën 59-vjeçare. U shua pas një sëmundjeje të gjatë, që e tërhoqi nga jeta artistike, ndonëse ishte në vitet më të mira për të dhënë nga mjeshtëria e tij. Vite më parë aktori Agim Qirjaqi u ekzaminua me një sëmundje të pashërueshme. Pavarësisht se u diagnostikua në disa klinika jashtë vendit, në Itali e Izrael, fati ishte shkruar për mjeshtrin e karaktereve. Krahas sëmundjes së Parkinsonit, të diagnostikuar në një stad të avancuar, në vitin 2006, aktori ishte dënuar edhe nga kanceri në kocka. Deri para pak muajsh, megjithëse shëndeti i tij ishte përkeqësuar mjaft dhe nga njeriu i dikurshëm, energjik, me një buzëqeshje disi dinake, kishte mbetur fare pak, ai vazhdonte të shkonte në Teatrin Kombëtar. Aty kishte miqtë, aty kishte gjithë jetën e tij... Pak kohë më parë ai u shtrua në spital, me gjithë që dëshira e tij ishte të kthehej sa më parë në shtëpi. E dje, i lodhur, vendosi të prehet, duke lënë pas karaktere të pashlyeshëm. Gjithkush mund të kujtojë rolin e drejtorit tek “Lulëkuqe mbi mure”, një roli të ngjashëm që do t’i rikthehej edhe tek “Parullat” e Gjergj Xhuvanit, mjekun tek “Rrethi i kujtesës”, apo Muço violonçelistin tek telekomedia “Tela për violinë”. Roli i tij i fundit në film ka qenë në filmin “Kronikë provinciale” me regji të Artan Minarollit, ndërsa në teatër, “Pjata prej druri”, ku luajti rolin e Nardit, në krah të të madhit Sulejman Pitarka. Regjisori Gjergj Xhuvani, i cili ka punuar me të në dy ndër interpretimet e fundit, “Parullat” dhe “I dashur armik”, thotë se kishte parashikuar dhe një të tretë, çka nuk u arrit për shkak të sëmundjes së tij. Ndriçim Xhepa, e quan atë një aktor pikant, që ka lënë gjurmë në artin skenik shqiptar e që pa dyshim do t’i mungojë shumë kinematografisë e teatrit shqiptar. Me vdekjen e Agim Qirjaqin, kinemaja dhe teatri shqiptar, humb një tjetër emër të madh, një tjetër kolos, që zor se mund të zëvendësohet. Lamtumira e fundit do t’i jepet artistit, sot në orën 13.00-14.00, në një ceremoni që do të zhvillohet në ambientet e Teatrit Kombëtar.
Artisti
Agim Qirjaqi lindi në Kolonjë në vitin 1950. Karrierën si aktor e fillon në Teatrin Kombëtar, pas mbarimit të studimeve në Akademinë e Arteve në Tiranë, më 1973. Shumë shpejt bëhet i njohur nëpërmjet filmave “Rrugë të bardha” i Viktor Gjikës (Profesori), “Lulekuqet mbi mure” i Dhimitër Anagnostit (Drejtori i Shkollës) etj. Me këtë të fundit fiton çmimin e parë në Festivalin e II të Filmit, më 1977. Më pas punon si regjisor në TVSH, ku realizon si regjisor e aktor shumë telefilma, mes të cilëve edhe filmin artistik “Dorina” (1980). Gjatë kësaj kohe vazhdon të punojë intensivisht në filma, duke qenë i preferuar nga shumica e regjisorëve shqiptarë. Gjithashtu fillon të japë mësim, mjeshtërinë e aktorit, në Akademinë e Arteve. Në vitet ’80 interpreton rregullisht në teatër dhe në film, duke qenë njësoj i suksesshëm, si në role dramatikë, ashtu edhe në ata komikë.
Më 1989 largohet për herë të dytë nga Teatri Kombëtar, këtë herë për një trajnim 2 vjeçar pranë të famshmit Xhiorxhio Strehler (Giorgio Strehler) në Teatrin Pikolo (Il Picolo Teatro) të Milanos dhe pastaj në Teatrin Elizeo (Eliseo) të Romës. Rikthehet në Teatrin Kombëtar më 1991 këtë herë më i dhënë pas regjisë. Lista fillon me “Rikardi III” të Shekspirit (1992) dhe vazhdon me “Fando e Lis” të Arrabalit, me të cilën fiton çmimin “Aleksandër Moisiu” në Festivalin e vitit 1994, “Marrëzia e madhështisë” të Vangjel Kozma, “Këngëtarja tullace” të Ioneskos dhe mbaron me “Armiku i popullit” të Ibsenit. Përgjatë 2002-2003 ka qenë drejtor i Teatrit Kombëtar.

Interpretime

“Kronikë provinciale”
“I dashur armik”
“Parullat”
“Colonel Bunker”
“Dasma e Sakos”
“Viktimat e Tivarit”
“Nata e dymbëdhjetë”
“Misioni përtej detit”
“Stolat në park”
“Rrethi i kujtesës”
“Tela për violinë”
“Apasionata”
“Në prag të lirisë”
“Sketerrë 43”
“Radiostacioni”
“Dimri i fundit”
“Lulekuqet mbi mure”
“Rrugë të bardha”

Saimir Kumbaro: Humbëm një njeri të mirë
Regjisori Saimir Kumbaro ruan kaq shumë kujtime nga Agim Qirjaqi. Nuk kanë pasur shumë bashkëpunime, por ama kanë kaluar shumë kohë bashkë. “E kam njohur Gimin qysh në vitin 1973, kur xhironim filmin “Rrugë të bardha” e unë isha as/regjisor. Viktor Gjika kërkonte një të ri, që të luante rolin e një mësuesi provincial. Ishte i vëllai, Maksi, të cilin e njihja prej kohësh, që më thotë ta provonim njëherë vëllain e tij student. Qysh në kinoprovën e parë, ai shfaqi aftësi të jashtëzakonshme aktoriale dhe Viktori e mori menjëherë për atë rol, që ishte edhe debutimi i tij i parë në kinematografi. Ai ishte një aktor inteligjent, sensibël dhe një njeri tepër pozitiv”, thotë Kumbaro, i cili e ka njohur edhe në rrethana më personale. “Kam jetuar me të në Itali, plot 5 muaj, bashkë edhe me Bujar Kapexhiun. Ishte një njeri i jashtëzakonshëm dhe unë do t’i jem mirënjohës për gjithë jetën, që na mundësoi të na siguronte akomodimin në Itali për atë specializim, që Kinostudioja nuk donte të na linte. Kemi kaluar shumë kohë bashkë, kemi luajtur edhe bilardo e kemi bërë humor. Dhe me këtë vdekje teatri, kinemaja humbi një aktor, ndërsa ne një njeri shumë të mirë”, thotë ai.

Xhuvani: “Një monument i interpretimit inteligjent”

Regjisori Gjergj Xhuvani nuk e kishte menduar asesi se lajmi i parë që do të merrte sapo të vinte këmbën në aeroport, ishte humbja e një miku të shtrenjtë. Gati e harroi festivalin, ku merrte pjesë, çmimin gjithashtu... Nuk kishte pasur thjesht një bashkëpunim me Agim Qirjaqin në filmat “Parullat” dhe “I dashur armik”, por e kishte edhe një mik, nga i cili kishe gjithnjë ç’të mësoje. “Me vdekjen e Gimit humbim në radhë të parë një njeri dhe kjo i dhemb të gjithëve, njerëzve të afërt, miqve. Por humbasim gjithashtu edhe një mik fjalëpakë, që kurrë nuk të dekurajonte, por e them me dhimbje se ne kemi fituar një monument të pavdekshëm të interpretimit inteligjent, diskret, një aktor ajsberg. Një aktor, që kritika franceze e ka krahasuar me aktorin e madh Ben Gazzara. Agimi do të na mungojë shumë, por kam bindjen që kjo mungesë do t’ia shtojë madhështinë, do t’ia largojë modestinë dhe do ta shohim më të madh nga ç’e kemi parë e nga ç’e kemi imagjinuar deri më sot”, thotë regjisori Xhuvani, teksa nuk e fsheh dot dhimbjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›