Bekam shërohet për tri ditë
Presidenti i shtetit aziatik, Sri-Lanka, Mahinda Rajapakse, i ka ofruar ndihmë të veçantë mesfushorit anglez David Bekam. Presidenti i ka vënë në dispozicion futbollistit të Milanit mjekun e tij personal, në mënyrë që mesfushori anglez të shërohet dhe të jetë i gatshëm të luajë në botërorin “Afrika e Jugut 2010”. Mjeku Elijanta Lindsaj Uajt është shërues shpirtëror. Ai merret me mjekësi tradicionale indiane. “Unë jam i gatshëm të kuroj Bekamin. Unë garantoj se brenda tri ditëve do të jetë i gatshëm të luajë. Ai është një rast i thjeshtë. Mund ta kuroj dhe ai mund të luajë sërish”, ka thënë 37-vjeçari për agjencinë e lajmeve “AFP” ditën e djeshme. Bekam u dëmtua disa javë më parë gjatë ndeshjes Milan-Kievo. Lojtari pritet të mungojë afro gjashtë muaj por trajneri i Anglisë, Fabio Kapelo i ka premtuar se do ta marrë atë me vete në staf edhe pse i dëmtuar.