Nesër skadon afati për aplikime për karta
Ministria e Brendshme, thirrje qytetarëve të tërheqin sa më parë kartat e identitetit
Nesër skadon afati i aplikimit për letërnjoftime elektronike si mjet identifikimi për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 28 qershorit. Ministria e Brendshme ka njoftuar dje, nëpërmjet faqes së saj zyrtare në internet, se të gjithë shtetasit që ende nuk kanë një nga dy mjetet e duhura të identifikimit për të votuar, pra, pasaportë dhe kartë, të paraqiten për të kryer aplikimin brenda datës 15 qershor. Pas kësaj date, kjo ministri bën të ditur se nuk do të pranohen më aplikime në funksion të zgjedhjeve dhe se të gjitha kapacitetet do të përqendrohen në shpërndarjen e kartave që janë prodhuar.
"Ministria e Brendshme informon opinionin publik se aplikimi për letërnjoftimet elektronike për të gjithë shtetasit që nuk zotërojnë pasaportë do të vazhdojë deri në datën 15 qershor, prandaj u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve pa pasaportë të vazhdojnë të paraqiten për të aplikuar", - thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme, por pa bërë të ditur sesa është numri i shtetasve që kanë aplikuar dhe sa është numri i atyre që, për shkak të mungesës së mjeteve të identifikimit nuk, do të votojnë.
Vetëm tri ditë më parë, kjo Ministri njoftoi se numri total i aplikimeve kishte arritur në 1 milionë e 300 mijë. Në kushtet kur procesi i aplikimeve është drejt përfundimit, Ministria e Brendshme u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë aplikuar për karta, të paraqiten pranë njësive vendore për t'i marrë ato. Në të kundërt, në rast se edhe ky proces nuk do të ecë sipas parashikimeve, rrezikon që numrit të shtetasve që nuk do të votojnë për shkak se nuk kanë aplikuar, t'u shtohen edhe ata që nuk e kanë atë për shkak se nuk e kanë tërhequr.
"Ministria e Brendshme u bën thirrje, gjithashtu, qytetarëve, të tërheqin letërnjoftimet elektronike të prodhuara. Deri ditën e djeshme janë tërhequr nga qytetarët 914 mijë letërnjoftime elektronike, ndërkohë, një numër i madh letërnjoftimesh ende nuk janë tërhequr", - thuhet në këtë deklaratë. Zyrat për aplikimin dhe shpërndarjen e kartave do të jenë të hapura nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 22:00 të mbrëmjes. Në lidhje me problematikën e hasur gjatë procesit të aplikimit, po dje, kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, ka depozituar në organin e akuzës një padi për drejtuesit e kompanisë shpërndarëse të kartave të identitetit "Aleat", pasi sipas tij, procesi i menaxhuar nga qeveria dhe kjo kompani, është i dështuar dhe selektiv, në favor të Partisë Demokratike.