Berisha: Minatorët në pension 5 vite më shpejt
Kreu i qeverisë ka garantuar nga Përrenjasi se do të ulë me pesë vjet, moshën e daljes në pension për minatorët
Berisha: Në mandatin e dytë, pensionet më të mëdha se 6 vende të BE-së
Pasi ka refuzuar në mënyrë të vazhdueshme përgjatë gjithë legjislaturës së shkuar që të miratojë një ligj të veçantë të propozuar nga opozita për trajtimin e kategorisë së punonjësve të nëntokës, kreu i qeverisë, Sali Berisha, në kuadër të fushatës elektorale, i ka premtuar këtij komuniteti se në rast se do të rikonfirmohet edhe një herë si Kryeministër i vendit, do t'u ulë atyre moshën e daljes në pension, si dhe do t'u rrisë pensionin e pleqërisë.
Për të bërë një propozim të tillë, Berisha ka udhëtuar deri në Përrenjas, ku në një takim elektoral me banorët e kësaj qyteze industriale, ka guxuar të prekë edhe çështjen e pensioneve të minatorëve dhe kushteve të tyre të punës. Ai është shprehur se është i vetëdijshëm për problemet madhore të krijuara nga rënia e sistemit minerar, pavarësisht se gjatë qeverisjes në katër vitet e shkuara, dora e shtetit mbi këtë çështje ka qenë thuajse e pandjeshme, çka solli jo pak viktima në galeritë e minierave.
Duke lënë pas të shkuarën, shefi i mazhorancës qeverisëse ka garantuar nga Përrenjasi se gjatë qeverisjes së ardhshme do të ulë me 5 vite moshën e daljes në pension për gjithë minatorët, por duke bërë të qartë njëkohësisht, se nuk do të pranojë që ata të trajtohen sipas një statusi të veçantë. Gjithashtu, në këtë kuadër, ai ka premtuar dhe rritje të pensioneve për këtë shtresë, por pa bërë të ditur se sa.
"Unë vij prapë këtu që t'ju premtoj dy gjëra minatorëve të Përrenjasit dhe të mbarë Shqipërisë: Sali Berisha do të ulë me pesë vjet moshën e pensionit të tyre. Unë jam gati dhe kërkoj mirëkuptimin tuaj për këtë: më kërkoni rritje pensionesh, por jo statuse, sepse statuset nuk shkojnë me pensionet dhe unë do t'jua rris pensionet tuaja. Por reforma evropiane e pensioneve nuk lejon statuset brenda saj, lejon rritje pensionesh dhe ne do t'ua rrisim ato, lejohet ulja e moshës dhe unë do të ul moshën e pensionit", - tha Berisha.
Ndërkohë që, vetëm një javë më parë, rivali i tij politik, Edi Rama, deklaroi thuajse të njëjtën gjë, por duke folur me shifra konkrete, duke premtuar se mosha e pensionit për minatorët do të jetë 59 vjeç, ndërsa pensioni minimal i tyre do të jetë sa është edhe pensioni minimal në qytet. Një tjetër premtim i kreut të qeverisë ka qenë edhe ai për vazhdimin e rritjes së pensioneve në fshat, duke deklaruar se në katër vitet e ardhshme ato do të barazohen me pensionet e qytetit. "Unë ju premtoj fermerëve të Përrenjasit dhe të mbarë Shqipërisë se, në katër vite që vijnë, pensionet e tyre do të barazohen me ato të qytetit", - tha më tej Berisha.
E, për të mbetur tek pensionet, shefi i qeverisë ka bërë një tjetër premtim të bujshëm, duke garantuar pensionistët shqiptarë se pensionet e tyre në fund të katërvjeçarit të ardhshëm do të jenë më të larta edhe se pensionet e homologëve të tyre në 6 vende të Bashkimit Evropian. "Unë i garantoj gjithë pensionistët shqiptarë, se në katër vitet që vijnë, pensionet e tyre do të jenë më të mëdha se pensionet e qytetarëve të 6 vendeve anëtarë të Bashkimit Europian.
Garantoj qytetarët e Përrenjasit dhe të mbarë Shqipërisë se nuk do të ketë qytetarë në këto rrethe të Shqipërisë, që të marrë nën dy dollarë në ditë, qoftë ndihmë ekonomike apo cilado qoftë ajo pagesë. Ne do të vazhdojmë rritjen e rrogave duke parakaluar jo dy vende të Bashkimit Europian, siç kemi bërë deri tani, por 6 vende anëtare të Bashkimit Europian", - tha Berisha.