E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi: "Do të ngremë sistemin shëndetësor universal"

Kandidatët socialistë, Ben Blushi dhe Olta Xhaçka, kanë qenë në spitalin e Korçës

Kandidatët për deputet në Qarkun e Korçës, Ben Blushi e Olta Xhaçka, kanë qenë në spitalin e qytetit të Korçës, ku kanë takuar pacientë, mjekë e infermierë të këtij spitali. Blushi, në biseda me ta, ka parë nga afër pamundësitë e këtij spitali për të qenë funksional e për t'i shërbyer të gjithë qarkut. Është e patolerueshme, tha Blushi, që në këtë spital edhe aspirina nuk gjendet, për të mos folur për të tjera medikamente. Pacientët dhe familjarët e tyre, gjatë bashkëbisedimit me kandidatët e PS-së, janë shprehur të lodhur për mënyrën sesi trajtohen dhe problemet më të cilat hasen dyerve të spitaleve dhe poliklinikave.


Ndërsa Blushi tha se është e pafalshme për një shtet që aspiron të bëhet vend anëtar i Bashkimit Evropian, të vihet ende me një sistem shëndetësor, ku korrupsioni është ulur këmbëkryq. "Për fat të keq, ky spital, nga më të mirët e Shqipërisë, ka shumë kohë që i torturon njerëzit, duke dalë të sëmurë jashtë derës së pavijonit, ngrihen nga shtretërit e në mes të natës blejnë age, sepse për shkak të korrupsionit dhe mënyrës se si menaxhohet, nuk gjen ilaçe, nuk gjen shiringa, që janë detyrim shtetëror.


Njerëzit paguajnë taksa në gjithë Shqipërinë, që kur të vijnë në spitalet e tyre, të kenë gjërat më minimale, nga jastëku deri te shiringat. Kjo gjë mungon dhe, e theksoj që është fatkeqësi që, në Korçë, njerëzit dalin nga spitali më të sëmurë se sa shkojnë. Kjo është faturë, e cila duhet të marrë fund", - tha Blushi. Ndërkohë, në emër të PS-së, ai u angazhua se kjo gjendje e mjerueshme e spitaleve të vendit do të marrë fund pas 28 qershorit, pasi socialistët do të ngremë shërbimin shëndetësor universal.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›