Skandali/ Shkollat detyrohen të blejnë librat politikë të Fahri Balliut
Tiranë- Seanca plenare e Kuvendit, ku u diskutua dhe miratua ligji për arsimin paraunivesitar ishte një paradë denoncimesh ndaj klanit të kryeministrit Berisha që kontrollon industrinë e botimeve me paratë e qeverisë.
Duke iu referuar praktikës së blerjes së librave për bibliotekat e shkollave, deputeti Erjon Braçe bëri publike dokumente dhe akuzoi qeverinë se në mënyrë abuzive i ka furnizuar bibliotekat e shkollave me librat e botuara nga shtëpia botuese 55, në pronësi dhe me autorësi të Fahri Balliut, botues i gazetës proqeveritare 55 dhe një nga njerëzit më të afërt të kryeministrit Berisha.
Sipas deputetit Barçe është skandaloze që bibliotekat e shkollave, në vend që të mbushen me libra artistike, argëtuaes e edukativë, që lidhen me moshën e tyre, furniziohen me librat demagogjikë të Fahri Balliut si Nexhmije Hoxha, zonja e zezë apo Berisha mes kasandrave. Përmes kësaj praktike janë mbushur me librat e Fahri Balliut bibliotekat e shkollave të qarkut Elbasan, qarkut Korçe dhe qyteteve të tjera.
Ndërsa deputeti Taulant Balla denoncoi një tjetër praktikë po kaq skandaloze dhe korruptive siç është ajo e alterteksteve. Edhe pse ligjërisht alterteksti, një shpikje e ish ministrit të arsimit Genc Pollo, që çoi në degradimin dhe shndërrimin e shkollës në pazar librash, parashikon një konkurs për zgjedhjen e tekstit, me të cilin do të mësojnë nxënësit, ai zgjidhet sipas porosive që vijnë nga lart.
Sipas Ballës, mësuesit urdhërohen nga drejtorët e arsimit që të përzgjedhin për tekste librat e botuara me autor dhe botues një tjetër njeri të afërt të kryeministrit Berisha, kësaj radhe edhe këshilltar zyrtar të tij, Bardhyl Musai. Mbi 90 % e teksteve shkollore janë pikërisht të shkruara apo të botuara nga Bardhyl Musai. Ndërsa në një shkollë në Tiranë, ku gruaja e Bardhyl Musait është drejtoreshë shkolle, nxënësit mësojnë 100% me librat e burrit të drejtoreshës.
/IDEA/