LGBT: Gjakmarrja, një turp për shtetin dhe shoqërinë tonë
Tiranë- Aktivistë për mbrojtjen e të drejtave LGBT shprehën sot solidaritetin e tyre në tubimin homazh të organizuar nga Forumi i Mendimit të Lirë para Piramidës, në shenjë proteste ndaj vrasjes makabre të Marijes dhe gjyshit të saj, për shkak të gjakmarrjes.
Ne besojmë se ky rast që nuk është i pari, për fat të keq, është tregues i një plage mesjetare që ka gjetur kushte të infektohet më shumë në një shoqëri indiferente, ku shteti dhe politika në përgjithësi, nuk mendojnë për të përmirësuar jetët tona, por mendojnë për të mbuluar zullumet e tyre.
Ne jemi të alarmuar, sot më shumë se kurrë më parë. Nëse një 17 vjeçare, ndër më të mirët njerëz të kësaj shoqërie, braktis moshën dhe jetën e saj prej të reje dhe vetësakrifikohet për të ndihmuar familjarët të mbijetojnë duke punuar tokën e të parëve, e për pasojë gjen vdekjen bashkë me gjyshin e saj për shkak të disa mendësive makabre, atëherë e gjithë shoqëria është në rrezik!
Jemi e njëjta shoqëri e lodhur që deri para pak viteve nervozoheshim kur ndonjë i huaj na kujtonte gjakmarrjen si pjesë të realitetit tonë. Jemi të njëjtët që për shumë kohë kërkonim tu hidhnim hi syve tanë dhe sidomos syve te të huajve duke u thënë: pse merreni akoma me fenomene ekzotike që i përkasin së kaluarës?.
Ja që ky fenomen qe nuk është fare ekzotik, por një plagë e tmerrshme për të gjithë ne, qëlloi sërish…
Nëse nuk mbrojmë dot fëmijët e këtij vendi që vendosin të mos jetojnë jeten dhe moshen e tyre, por të sakrifikohen për hir të familjes, nëse nuk mbrojmë dot motrat, nënat, gjyshet e gjyshërit tanë, nëse nuk mbrojmë dot më të dobëtit mes nesh, atëherë kjo është një këmbanë alarmi që, herët apo vonë, do të bjerë edhe për ne…
Pro LGBT është pranë vuajtjes së atyre mijëra të ngujuarve shqiptarë në vitin 2012, sidomos fëmijëve të cilët nuk mund të jetojnë as fëmijërinë e tyre.
Ky shtet të cilin ne të gjithë me veçoritë apo të përbashkëtat tona e mbajmë në këmbë, duhet të kuptojë se jeta, dinjiteti dhe nevoja e ne qytetarëve për të ndërtuar jetën tonë e për të aspiruar lumturine vetjake, janë baza pse vetë shteti ekziston.
TURP për dështimin fatal të të gjitha institucioneve që ne i paguajmë për të na mbrojtur!
TURP për ne të gjithë si pjesë e një shoqërie që në vend ta shëronim një plagë, si ajo e gjakmarrjes, kemi pranuar ta fshehim, e vazhdimisht të revoltohemi kur të tjerët na e kanë përplasur në fytyrë këto 20 vitet e fundit.
Gjakmarrja nuk është një temë ekzotike e gazetarëve të huaj, por është një turp i yni, i përbashkët.
/IDEA/