Ministrja Bregu ne Zagreb takim me homologen kroate
Ministrja e Jashtme dhe e Çështjeve Europiane e Kroacisë, Vesna Pusiç deklaroi se Kroacia si vendi më i ri anëtar i BE-së do ta mbështesë dhe asistojë Shqipërinë deri në anëtarësimin saj të plotë. Zonja Pusiç i bëri këto deklarata pas takimit me ministren shqiptare të Integrimit, Majlinda Bregu e cila zhvilloi një vizitë zyrtyare në Zagreb.
“Kroacia, si vendi anëtar me i ri i BE-së, do ta mbështesë dhe asistojë Shqipërinë, në të gjitha hapat, deri në anëtarësimin e saj në BE, qoftë teknikisht, ashtu dhe politikisht”, vlerësoi ministrja Pusiç.
Zonj Bregu vlerësoi mundësinë për të përfituar nga eksperienca kroate në përgatitjen e procesit të negociatave dhe përshëndeti nënshkrimin e Traktatit të Aderimit të Kroacisë në BE, si hap inkurajues për rajonin, pasi konfirmon besueshmërinë e procesit të anëtarësimit dhe perspektivën e qartë europiane të tij.
“Integrimi europian na jep sensin e së ardhmes së përbashkët dhe nxit frymën e bashkëpunimit rajonal dhe të fqinjësisë së mirë. Progresi që kemi bërë deri tani në bashkëpunimin rajonal është i konsiderueshëm. Kjo duhet kuptuar drejt nga të gjitha vendet e rajonit, të cilat duhet të heqin dorë nga axhenda nacionaliste dhe të pranojnë realitetin e ri të rajonit, ku të gjitha vendet përfshirë Kosovën kanë një perspektivë të qartë europiane”, vuri në dukje Bregu.
Ministrja Pusiç vlerësoi rolin e Shqipërisë si faktor paqeje dhe sigurie në rajon, ndërsa zonja Bregu kërkoi vazhdimësi dhe garanci nga ana e Kroacisë sa i përket mbёshtetjes pёr Kosovën, veçanërisht në procesin e bashkëpunimit rajonal dhe atë të integrimit Evropian. Gjatë takimit me Komisionin Parlamentar për Çështjet Europiane, i kryesuar nga Danijel Mondekar, Bregu njohu palën kroate për zhvillimet e fundit politike, duke shprehur keqardhjen në emër të mazhorancës për qasjen e vazhdueshme jo bashkëpunuese të opozitës shqiptare në lidhje me axhendën europiane. Deputetët kroatë nënvizuan faktin se eksperienca me frymën jo bashkëpunuese te opozitës si ajo shqiptare, është unike për vendet e BE dhe ato aspirante. Në mbyllje të vizitës së saj në Zagreb, Ministrja Bregu bisedoi për bashkëpunimin strategjik mes dy vendeve në fusha si infrastruktura mjedisi apo aersimi me zv Kryeministrin dhe Ministrin për Zhvillimin Rajonal dhe fondet e BE-se, Bianko Grčić.