E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali i “TDC”-së, Stojani: “Nuk kam çtë them më tepër se deklarata për shtyp”



Në një prononcim telefonik për gazetën “Albania”, kryehetuesi i dosjes “Gërdeci”, Sokol Stojani, refuzoi të jepte shpjegime mbi itinerarin e hetimeve ndaj firmës “TDC”. Zoti Stojani deklaroi se nuk mund të shprehte asgjë më tepër sesa deklarata e së mërkurës, që u shpërnda nga zyra e shtypit e Prokurorisë së Përgjithshme.

Zoti Stojani, ju telefonojmë nga redaksia e gazetës “Albania”.
Po.
Në cilësinë e kryehetuesit të një dosjeje të rëndësishme si ajo e Gërdecit, jemi shumë të interesuar të dimë nëse do të ketë ndonjë hetim të brendshëm në institucionin tuaj, pasi në media u zbulua se Prokuroria ka pasur që në muajin tetor dijeni mbi firmën “TDC”.
Këto janë çështje shumë teknike dhe unë nuk mundem të flas apo të komentoj nga pozicioni im mbi to.
Zoti Stojani, gazeta nuk po kërkon detaje hetimore mbi çështjen, por po kërkon një përgjigje konkrete mbi mënyrën se si ju do ta trajtoni këtë vonesë në verifikimin e kompanisë “TDC”...
Dëgjoni, ju flisni nga një pozicion komod mediatik dhe unë po ju them se nuk mund të flas për çështje të tilla, pasi kam një pozicion të caktuar dhe s’mund të jap deklarata për interesa mediatike, të cilat janë nga më të ndryshmet.

Zoti Stojani, interesi i medias është interes publik, sikurse dhe Prokuroria është institucion publik. Ne thjesht duam të dimë se përse për Prokurorinë verifikimi i firmës “TDC” ishte i nevojshëm të kryhej vetëm një javë më parë dhe përse nuk ishte i nevojshëm të kryhej që në muajin tetor, kur ju u njohët me këtë firmë?!

Prokuroria e Përgjithshme shpërndau një deklaratë zyrtare mbi këtë çështje. Unë iu sugjeroj t’i referoheni vetëm asaj deklarate.

Zoti Stojani, ajo deklaratë nuk i dha përgjigje pikërisht pyetjes se përse firma në fjalë nuk u verifikua që në muajin tetor 2008, sepse pikërisht në këtë muaj institucioni juaj ka sekuestruar raportin sekret të Policisë Ushtarake, që e përmendte posaçërisht rolin e firmës...

Dëgjoni, për çdo veprim ka një analizë dhe një bazë ligjore mbi të cilën veprohet. Unë ju thashë se deklarata e djeshme e Prokurorisë i sqaron këto gjëra, pasi ne jemi shprehur qartë se janë hetuar të gjitha elementet e çështjes dhe aty ku janë konstatuar problemet ne kemi çuar personat përgjegjës për gjykim.

Patjetër, por si është e mundur që firma “TDC” nuk ka përbërë “problem” në muajin tetor 2008 dhe përbën problem në muajin prill 2009? Këtë nuk po kuptojmë...

Unë nuk kam çfarë t’ju them më tepër, ju keni interesin tuaj mediatik. Prokuroria ka shpërndarë një deklaratë për këtë çështje.

Deklarata zyrtare e Prokurorisë për hetimin e kompanisë “TDC”

“Duke u nisur nga publikimi ditët e fundit të disa akteve në media, si dhe komenteve që janë bërë rreth punës së Prokurorisë në ndjekjen penale, të Procedimit Penal Nr. 3, të vitit 2008, që lidhet me ngjarjen e 15 marsit 2008 në Gërdec, Vorë, e ndiejmë për obligim për të sqaruar publikun se, në ndjekjen penale të këtij procedimi, Prokuroria ka realizuar një procedim të drejtë, të barabartë dhe të rregullt ligjor, duke angazhuar kapacitetet më të mira profesionale dhe duke shmangur çdo përpjekje për ndikim dhe presion politik. Prokuroria ka hetuar, analizuar dhe ngritur akuzë në gjykatë për çdo fakt kriminal që ka evidentuar se ka lidhje me këtë ngjarje. Kështu, përsa bëhet fjalë në media, Prokuroria ka ngritur akuzë në gjykatë në ngarkim të ish-zyrtarëve të lartë ushtarakë dhe civilë, të cilët, në shkelje të ligjit dhe në mospërmbushje të detyrës, kanë urdhëruar lejimin e subjekteve private të prishin objekte në inventarin e pronës në Gërdec, të kryenin punime për ndërtimin e strukturës së përkohshme industriale dhe të administronin këtë pronë. Prokuroria ka ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale penale të nevojshme, ndaj pasurive të të pandehurit Mihal Delijorgji, sapo është vënë në dijeni të aseteve apo përqindjes së aksioneve të tij në shoqëritë ku ai është aksioner”.

17 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›