Skandali i armëve, merret në pyetje Ylli Pinari
Tiranë- Prokuroria ka marrë në pyetje sot kreun e MEICO-s, Ylli Pinarin. Sipas burimeve zyrtare mësohet se Pinari ka dhënë dëshminë e tij lidhur me kontratat me kompaninë e Efraim Diverolit, AEY dhe për trafikun e armëve.
Marrja në pyetje e Pinarit vjen fill pas zhvillimit të seancës së kongresit Amerikan, për zbardhjen e kontratatve të Diverolit, që u bë një idtë më parë në Uashington.
Pinari, në dëshminë e tij ka deklaruar se i është përmbajtur kontratës së nënshkruar me firmën AEY dhe se nuk është bërë asgjë jashtë asaj që është firmosur.
“Diveroli e dinte se po bline municion kinez”- mësohet të ketë thënë Pinari.
Deklaratë që hedh poshtë pretendimin e Diverolit, bërë përmes avokatit të tij, se ka qenë mashtruar nga qeveria shqiptare për fishekët kinezë.
Në vijim të dëshmisë së tij, ai ka mohuar të kishte dijeni për falsifikimin e origjinës
së municioneve që transportoheshin.
Ylli Pinari u arrestua pak kohë pas shpërthimeve të fuqishme në Gërdec, si pasojë e të cilave humbën jetën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë. A u ndalua nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Në datën 8 prill, Gjykata e Apelit ka vendosur të lërë në burg Ylli Pinarin, drejtorin i kompanisë MEICO. Gjykata e Apelit la kështu në fuqi vendimin e mëparshëm të masës së arrestit të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Biznesmeni Kosta Trebicka ka akuzuar Ylli Pinarin për mundësim të kontratave të punës me Ministrinë e Mbrojtjes, mundësoi mënjanimin e kompanisë amerikanë AEY të Efraim Diverolit dhe kontaktoi me kompaninë Alba-Demil të Mihal Delijorgjit për eksportin e armëve jashtë vendit.
Në datën 29 maj ai dhe dy të tjerët, Mihail Delijorgji dhe Dritan Minxolli janë marrë në pyetje nga kryeprokurorja Ina Rama.
Sipas burimeve pranë organit qendror të akuzës, mësohet se dy nga prokurorët e grupit hetimor të tragjedisë së Gërdecit, të shoqëruar nga dy oficerë të këtij grupi i kanë pyetur tre të akuzuarit për akuzat që rëndojnë mbi ta, duke i pyetur ata edhe këtë herë për shumë dyshime të ngritura që kanë dalë nga hetimi dymujor.
Atëherë të pandehurit e kanë deklaruar veten të pafajshëm, duke mohuar akuzat e ngritura nga prokuroria, ato të “shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse djegëse dhe radioaktive” dhe atë të “shpërdorimit të detyrës”. Ndërkohë, burimet saktësuan se i pandehuri Ylli Pinari, me detyrë ish-drejtori i MEICO-s nuk ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë, duke mohuar të ketë kryer me veprime apo mosveprimendonjë vepër penale.
Sipas dëshmisë së asaj dite, thuhet se Pinari është shprehur se: “kam kryer vetëm detyrën duke respektuar urdhrat e ministrit të Mbrojtjes, rregulloret e kësaj ministrie dhe ligjin”. Po këto burime konfirmuan se nga verifikimet e kryera janë evidentuar një numër i madh objektesh të pasurisë së Ylli Pinarit të përfituara në fazën e privatizimit të pronave shtetërore, që sipas akuzës, i pandehuri ka pretenduar se i ka privatizuar të gjitha pronat e familjes që ia kishte marrë regjimi.