E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali i basteve përfshin Besën

Ermal Kuka, Gazeta Shqip
Besa ka përfunduar në sitën e hetimeve të Europolit në skandalin e basteve që ka përfshirë aktivitetet ndërkombëtare të organizuara nga UEFA. Ka qenë revista gjermane "Bild" ajo që ka bërë të ditur se në listën e 26 ndeshjeve që UEFA i ka servirur trupës policore kontinentale, figuron edhe takimi Bezhanija-Besa, i vlefshëm për raundin e parë paraeliminator të Kupës UEFA. Ndeshja që përfundoi me rezultatin 2-2 rezultoi më pas vendimtare për ekipin kavajas, i cili arriti të kualifikohej në turin tjetër, falë barazimit pa gola në Tiranë. Ndonëse UEFA nuk ka konfirmuar asnjë prej emrave të skuadrave të dyshuara, në javët në vazhdim do të hyjë në veprim Europoli, i cili aktualisht po heton të gjitha ndeshjet që i janë servirur nga institucioni që drejton futbollin në Evropë. Gjatë ditës së kaluar, listës së vendeve të përfshira nga skandali i basteve në Kupat e Evropës iu shtua edhe Shqipëria, pas atyre të Estonisë, Finlandës, Serbisë, Lituanisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë. "Zbulimin" e ka bërë revista prestigjioze gjermane "Bild", e cila lajmin për skandalin që ka përfshirë futbollin në Evropë e ka ilustruar me një foto të takimit Bezhanija-Besa. "Ndeshja e kualifikueseve të Kupës UEFA, e përfunduar me rezultatin 2-2, është mes rezultateve të manipuluara", shkruhet në këtë revistë. Kanë mjaftuar pak minuta që lajmi të raportohet në të gjitha mediat gjermane, të cilat deri në ato momente kishin zbuluar vetëm dy ndeshje të tjera, atë të bullgarëve të Cerno More ndaj maqedonasve të Makedonija dhe atë të estonezëve të Talin kundër finlandezëve të Honka Espo. Sipas gazetave gjermane, emrat e takimeve të përfolura deri tani si të manipuluara me qëllim përfitime kolosale nëpërmjet kompanive të basteve aziatike, kanë dalë nga EUFA dhe Europol, ndonëse të dyja palët zyrtarisht nuk kanë konfirmuar asnjë prej emrave. Sinjalizimet për rezultatet e cuditshme kanë ardhur nga kompania "Betfair", e cila ka një marrëveshje bashkëpunimi me UEFA-n dhe ka shërbyer gjithmonë si një urë ndërlidhëse mes këtij institucioni dhe kompanive të basteve në Evropë. Prej kohësh futbolli shqiptar është përfshirë nga dyshimet për trukimin e ndeshjeve, si në kampionatin shqiptar, ashtu edhe në aktivitetet ndërkombëtare. Nëse më parë mungonin provat për të vërtetuar një gjë të tillë nëpërmjet institucioneve vendase, ka qenë UEFA ajo që ka menduar për të ndalur një fenomen të tillë, gjithmonë nëse vërtetohet fajësia e klubit kavajas. Nëse konfirmohet se Besa është mes skuadrave të hetuara nga Europol, brenda javëve të ardhshme, zyrtarë të trupës policore kontinentale mund të vijnë në vendin tonë për të parë nga afër situatën dhe për të verifikuar dyshimet e UEFA-s. Burimi: Gazeta Shqip Artikulli orgjinal

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›