E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali i ndertimeve pa leje ne bregdet

Sikur të mos i mjaftonin plehrat, bregdetit të Durrësit i janë shtuar edhe ndërtimet pa leje. Në ketë prag të sezonit turistik, plazhi publik të ofron një pamje kaotike, pasi ranishtja është kthyer në një kantier ndërtimi, mbi të cilën janë ngritur restorante, kioska, objekte shumëkatëshe, dhjetëra platforma betoni, pirgje inertesh, mole e bankina pa leje. Në këtë zonë ka pasur vetëm një investim në infrastrukturën e tij, atë të ndërtimit të shëtitores bregdetare, e cila sipas prefektit të qarkut Genci Alizoti u projektua enkas për të vendosur një kufi midis ndërtimeve dhe zonës së rërës, por që nuk u respektua nga ndërtuesit, të cilët vijojnë të ndërtojnë çdo ditë e më shumë objekte pa leje përgjatë vijës bregdetare
Për një problematikë mjaft te qartë, duke iu referuar edhe pamjeve, kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i cili ka nën administrim këtë vijë bregdetar, deklaron se nuk ka dijeni që në plazhin e Durrësit po kryhen ndërtime. Madje ai shkon më tej, duke pohuar se nga data 30 shtator e vit te kaluar nuk ka dhënë asnjë leje ndërtimi në zonat turistike.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i prefekti Genci Alizoti, i cili thotë se bashkia nuk duhet të heshtë, por të marrrë përgjegjësitë e saj për shembjen e objekteve pa leje.
Dako i përgjigjet duke thënë se gjatë këtij muaji do të ndërhyhet për shembjen e ndërtimeve, të cilat nuk i plotësojne kriteret, por nuk ka asnjë shpjegim pse ato janë ngritur.
Ndryshe nga e kaluara e disa viteve më parë, kur ndërtimet pa leje vinin për shkak të pafuqisë së shtetit, tani shkak është mosveprimi i organeve të pushtetit vendor, të cilat menaxhojnë territorin e tyre. Nga nje studim i kryer ne te gjithë territorin e Durrësit janë evidentuar mbi 110 ndërtime pa leje të muajve të fundit, kryesisht përgjatë vijës bregdetare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›