E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtrimet me telefon, nga një qeli burgu

Dy të burgosur nga Tropoja kanë mashtruar nga qelia me anën e telefonit celular 7 persona, ndërkohë që Prokuroria e Fierit mundi të zbardhte të gjithë skemën e mashtrimit. Gjithçka ka nisur pas depozitimit të denoncimit nga të mashtruarit, të cilët sipas burimeve nga Prokuroria e Fierit janë shtatë dhe të gjithë banorë të rrethit të Fierit. Sipas oficerit të policisë gjyqësore, Sokrat Dhamo, hetimi për këtë ngjarje ka nisur në muajin shkurt dhe ka përfunduar në fillim të majit, kur dosja përkatëse e çdo të mashtruari i është dërguar Prokurorisë së Rrethit Tropojë, pasi atje rezultojnë të jenë banorë dy mashtruesit. Mjeti që kanë përdorur autorët e mashtrimit ka qenë telefoni celular. Ata quhen Altin Murdaj dhe Shkëlzen Vatlikaj, përkatësisht 27 dhe 30 vjeç të dy lindur e banues në Tropojë. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria e Fierit, Murdaj dhe Vatlikaj qëndronin në të njëjtën qeli burgu në Tropojë, të arrestuar për vjedhje. Ndërsa qëndronin në qeli, ata kanë vendosur të formojnë numra rastësorë në aparatet e tyre celularë dhe prej andej të nisin mashtrimin. "Kështu, vetëm brenda 10 ditëve, gjatë muajit janar të vitit 2008, në Fier janë regjistruar 7 denoncime për mashtrim me anë të telefonit dhe numrat e celularëve kanë rezultuar të kenë qenë të Murdajt dhe Vatlikajt. Por, në Tropojë dhe disa rrethe të tjera të vendit numri i atyre që ranë pre i mashtrimit është shumë më i madh", thotë për gazetën oficeri i policisë gjyqësore, Sokrat Dhamo. Ky i fundit ka shpjeguar se kanë qenë të mashtruarit ata që jo vetëm kanë bërë denoncimin e tyre pranë Komisariatit të Policisë Fier, por kanë vënë në dispozicion të hetimeve numrat celularë nga të cilët u mashtruan, si dhe oraret e sakta të telefonatave. Pas sigurimit të këtyre provave, policia ka nisur hetimin duke kërkuar edhe ndihmën e operatorëve telefonikë Vodafone dhe AMC. Prej këtyre të fundit, policia siguroi informacionin që zbuloi autorët e mashtrimeve. Pas hetimeve, policia e Fierit ka mundur të provojë se të dy mashtruesit, veprën penale e kanë kryer gjatë kohës që ishin në burg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›