E Shtunë, 31 Tetor 2026

KESH-i, gara e privatizimit mbyllet në shtator



Procesi i privatizimit për Divizionin e Shpërndarjes në KESH mund të mbyllet në muajin shtator të këtij viti. Sipas ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, tha dje se, privatizimi i 75 për qind të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) ka hyrë në fazën përfundimtare. Tashmë, qeveria shqiptare, pas privatizimit të Albtelekomit dhe ARMO, i ka zhvendosur forcat drejt procesit të shitjes së aksioneve të KESH-it, por lënë mënjanë privatizimin e INSIG-ut. Privatizimi i aksioneve të OSSH-së, do t‘u hapte rrugë investimeve private, si dhe do të konsolidonte treguesit ekonomiko-financiarë të KESH-it. Përsa i përket vlerës së shitjes, nuk janë dhënë detaje të tepërta, por mësohet se ajo do të ndikohet më së shumti nga niveli i borxheve që KESH ka marrë gjatë viteve të fundit për të përmbushur nevojat e popullatës me energji elektrike. Mësohet se KESH-i ka rreth 250 milionë euro, ku 140 milionë euro janë përdorur për nevojat e OSSH-së. Pikërisht kjo e fundit që do t‘u shitet të huajve, mund të mos marrë vlerën e duhur për 75 për qind të aksioneve të ofruara në treg.

Leku e mbyll javën i fortë ndaj euros dhe dollarit

Leku u forcua kundrejt dollarit amerikan dhe monedhës europiane euro në kursin e këmbimit gjatë javës së fundit (18-24 maj). Sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, një javë më parë një euro u këmbye me 122.25 lekë, ndërsa të premten u këmbye me 122.04 lekë. Një dollar amerikan një javë më parë u këmbye me 78.31 lekë, ndërsa të premten u këmbye me 77.64 lekë. Në bursat ndërkombëtare euroja është tregtuar në nivelin më të lartë kundrejt dollarit, pas njoftimeve se Banka Qendrore Europiane do të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, ndërkohë qe ajo amerikane planifikon një ulje të dollarit. Kështu, në bursat ndërkombëtare, një euro u këmbye me 1.5741 dollarë të hënën, ndërsa të premten me 1.5602 dollarë. Ndërkohë çmimi i naftës theu edhe dje një rekord të ri në bursat ndërkombëtare, kur një fuçi u shit me rreth 136 dollarë, duke u rritur me plot 4 dollarë për gjatë dy ditëve të fundit. Çmimi po rritet për shkak të parashikimeve për mosshtimin e prodhimit dhe nga ana tjetër nga presionet për rritje të mëtejshme të kërkesës në rang global. Furnizimi ka rënë javën e kaluar me 5.3 milionë fuçi, rënia më e madhe në katër muajt e fundit, ka njoftuar Departamenti Amerikan i Energjisë. Parashikimet vlerësojnë se, për gjashtëmujorin e dytë të vitit, çmimi i naftës do të arrijë 141 dollarë për fuçi. Për shkak të kësaj situate në tregjet ndërkombëtare, pikat e pakicës në Shqipëri po e shesin një litër naftë me 163 lekë. Në fakt, çmimi i naftës në vendin tonë shënon nivelin më të lartë në rajon dhe prej vendeve nga importohet nafta. Në SHBA, që është konsumatori më i madh i naftës, një litër nuk kushton as 1 dollarë. Ekspertet e ekonomisë nuk janë në gjendje të bëjnë parashikime të sakta për ecurinë e çmimit të naftës, madje disa analistë i kanë konsideruar çmimet aktuale si spekulime të kompanive të mëdha të naftës në bursa.

26 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›